Hagë, 20 shtator 2022 – Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), të njohura si Gjykata Speciale, Ekaterina Trendafilova, e ka anuluar vizitën e paralajmëruar në Gjilan, për shkak të paralajmërimeve se ajo do të pritet atje me protest.
Sipas agjendës së vizitës së zonjës Trendafilova, e cila ndodhet në Kosovë, të mërkurën në Gjilan do të takohej me përfaqësues të shoqërisë civile, në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.
DHSK ka njoftuar se sot u vendos që ky aktivitet të zhvillohet përmes internetit, pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës së krijuar me paralajmërimet për protesta kundër këtij aktiviteti.
“Kryetarja Trendafilova deklaroi se ‘mandati i Dhomave të Specializuara është administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë, të pavarur, të sigurt dhe të paanshme’. Ajo theksoi se ndodhet në Kosovë për të biseduar me njerëz për punën e Dhomave të Specializuara, në mënyrë transparente dhe të saktë, siç e ka bërë në disa raste më parë, dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të kenë njerëzit”, thuhet në njoftimin e DHSK.
“Një shkëmbim i tillë mund të zhvillohet vetëm në një mjedis të sigurt dhe konstruktiv. Prandaj, në interes të sigurisë publike, u mor vendimi që kjo veprimtari të zhvillohet përmes internetit”, thuhet në njoftim.
Partia Socialdemokrate kishte thirrur një protestë në Gjilan kundër Gjykatës Speciale dhe kryetares së saj Ekaterina Trendafilova, Kryetari i kësaj partie jashtëparlamentare, Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo gjykatë është politike.
“Kjo gjykatë është politike dhe, rrjedhimisht, ka pasur në vazhdimësi veprime politike. Është tërësisht e papranueshme për sistemet demokratike, ku janë të ndara pushtetet të kemi kësi lloj veprime të gjykatës”, ka thënë ai.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte paralajmëruar se do t’i bashkohej protestës.
(r.m.)