Kryetarja e Shkupit kërkon të anulohet emërtimi i rrugës “Adem Demaçi”

Shkup, 15 gusht 2023 – Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, i ka kërkuar Këshillit të Qytetit të Shkupit që rrugës së emëruar “Adem Demaçi”, në komunën e Çairit, t’i kthehet emërtimi i deritashëm.

“Sot e kam dorëzuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit një iniciativë për rikthimin e emrit të rrugës ‘Brigada e Dytë Maqedonase’, të cilën këshilltari i mëparshëm e kishte riemërtuar ‘Adem Demaçi’, për të cilën Qeveria ka dhënë pëlqimin për ndryshim”, ka shkruar Arsovska.

Ajo ka thënë se kështu “do të korrigjohej padrejtësia ndaj më shumë se 230 heronjve, pjesëtarë të Brigadës së Dytë Maqedonase të të gjitha etnive që e kanë dhënë jetën në mbrojtje të Maqedonisë”.

Arsovska e ka dënuar “retorikën nacionaliste” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup e në Tetovë dhe i ka propozuar atij që një rruge në Prishtinë t’i vihet emri i Todor Aleksandrovit, figurës së njohur të historisë maqedonase.

“Në të njëjtën kohë, e dënoj fuqishëm retorikën nacionaliste dhe dua t’i propozoj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti një iniciativë të re – të emërojë një rrugë në Prishtinë me emrin e revolucionarit maqedonas Todor Aleksandrov, i cili dikur bashkëpunoi në mënyrë aktive me Hasan Prishtinën, Azen Bejtën dhe Bajram Currin”, ka shkruar kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska.

(r.m.)