Prishtinë, 10 mars 2023 – Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, deklaroi të premten se emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka ofruar 15 modele evropiane për rregullimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.
Në një prononcim për Telegrafin, Kryeziu tha se do të analizojnë veçoritë, karakteristikat si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve.
Këto deklarime ai i bëri një ditë pasi emisari Lajçak gjatë qëndrimit në Prishtinë, duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se “nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar sepse, siç e thashë, ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin”.
Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë, bëhet fjalë për modele që rregullojnë të drejtat e minoriteteve dhe jo për asociacione.
“Lajçak ka ndarë me neve 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo të asociacioneve. Ne do të analizojmë veçoritë dhe karakteristika si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve”, u shpreh Kryeziu.
Ai bëri të ditur se nga Kosova nuk është kërkuar të zgjedhë një nga ato 15 modele, por “disa nga ato (ato të cilat reflektojnë në frymë dhe shkronjë të drejtat e anëtarëve të pakicave sipas standardeve të Këshillit të Evropës) që do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për një propozim për të drejtat e minoriteteve që mund të jetë i aplikueshëm, i pranueshëm për Kosovën dhe në përputhje me parimin e vënies në fokus të të drejtave të anëtarëve të një komuniteti”.
“Gjithmonë duke qenë në respektimin të kushtetueshmërisë se vendit, pa kompetenca ekzekutive dhe një që nuk përbënë nivel të tretë të qeverisje”, përfundon Kryeziu.
(Telegrafi)