Kryeziu: Vendimi për masat ndaj Serbisë varet nga vlerësimet e institucioneve të sigurisë

Prishtinë, 11 gusht 2023 – Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në pjesën veriore të vendit ka një përmirësim të situatës, për vendimi për shfuqizimin e masave ndaj Serbisë, përfshirë ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, varet nga vlerësimet e institucioneve të sigurisë për situatën e sigurisë në kufi me Serbinë.

“Masat e deritanishme në kufi kanë qenë masa të karakterit të sigurisë, pas rastit të rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës nga brendia e territorit të vendit tonë e në kufi me Serbinë. Ka qenë vlerësim i institucioneve të sigurisë që të rriten kontrollet dhe vigjilenca në pikat kufitare me Serbinë. Deri më tani për masat kanë vlerësuar dhe vepruar institucionet e sigurisë. Analiza e situatës së sigurisë është e vazhdueshme. Vërehet se ka një përmirësim të situatës dhe ne urojmë që ajo t’i kthehet normalitetit të plotë sa më parë. Ne jemi optimist që situata e përmirësuar do ta mundësojë largimin e masave por edhe nuk duhet të nxitohemi”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.

“Gjithsesi u takon përherë institucioneve të sigurisë të vlerësojnë, të rekomandojnë e të vendosin për to”, ka theksuar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se ky vendim ishte marrë për arsye të sigurisë.

“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, kishte thënë ai, kur kisht njoftuar për vendimin.

Vendimi që ndalon hyrjen në Kosovë të kamionëve më mallrat ë prodhuara në Serbi ishte marrë më 15 qershor, pas rrëmbimit të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës nga forcat, brenda territorit të Kosovës.

(r.m.)