Kthehet në rigjykim rasti i Todosjeviqit që e mohoi Masakrën e Reçakut

Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Gjykata Supreme njoftoi se e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-ministrit në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosjeviq, i cili ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim. Aktgjykimi Pml.nr.336/2021, është duke u përkthyer në gjuhën serbe për palën, pas përkthimit do të publikohet në web-faqen e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, ixshte dënuar me dy vjet burg, pasi ishte shpallur fajtor për mohimin e Masakrës së Reçakut dhe të krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Totosijeviq ishte dënuar për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Lista Serbe dhe autortitetet në Serbi kishin reaguar ashpër kundër dënimit të Todosijeviqit. Në mbrojtje të tij kishte dale edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar se Todosijeviqi e kishte thënë të vërtetën se Masakra e Reçakut kishte qenë sajesë.

(r.m.)