Sa herë përmendej fjala “Kthellë’ (duke nënkuptuar tre bajrakët e Kthellës), unë instiktivisht e ktheja në “thellë”. Dhe më bënte përshtypje se nga e kishte origjinën ky emër. Legjenda thotë se kur Skënderbeu mbërriti pranë atij vendi që është quajtur “Fusha e Lumthit” (”Rrësheni i sotëm) i bënë përshtypje kodrat, që e rrethonin nga të katër anët duke i dhënë fushës në mes pamjen e një thellësie. Ai e quajti “vend i thellë”.
Ka edhe një terminologji tjetër për bajrakët e Kthellës: “Tre bajrakët e Ohrit”. I kanë quajtur kështu sepse kanë ardhur nga Sanxhaku i Ohrit. Dhe më vonë i janë bashkuar Mirditës. Pra Mirdita e Kthella vijnë nga fise të ndryshme. Historia e bashkimit të Kthellës me Mirditën është e bukur, e mbrujtur me besë, trimëri e dashurinë e malsorit. Në kohën pushtimit turk, bajrakët e Kthellës ishin të rregjistruar në vilajetin e Matit. Pashë Sakati, i Matit, e trajtoi keq popullin e Kthellës. E ngarkoi me taksa dhe e detyronte të priste dru në pyje, t’i ngarkonte turret e druve e t’i shpinte në saraje për t’u ngrohur ushtria e tij. Banorët e Kthellës s’mundën ta duronin më, dhe vendosën që të ndaheshin nga vilajeti i Matit. Kjo do të thoshte t’i shpallje luftë Pashajt të Matit. Fjala mori dhenë.Kapedani i Mirditës atë kohë, i famshmi Lleshi i Zi, iu gjend pranë kthellasve. Kthellasit lidhën besë më krerët e Mirditës dhe ata nën udhëheqjen e kapedanit të tyre u vunë në dispozicionin për të luftuar kundër ushtrisë së Pashës së Matit. Gjithësesi u mendua që fillimisht të dilnin tre burra, vullnetarisht, për të shkuar tek Pashaj, për t’i deklaruar vendimin e popullit të Kthellës. Këta ishin vullnetarë të vdekjes. Ishte e qartë që pashaj s’kishte për të rënë dakort për shkëputjen e Kthellës nga Mati. Nga burrat e Kthellës dolën vullnetarë : Gjet Melyshi, Gjet Gjekolaj dhe Shyt Përpali. Pashai i Matit i priti në audiencë dhe dëgjoi vendimin që kishte marrë populli i Kthellës për ndarje nga vilajeti i Matit. Pashë Sakati u tërbua nga zëmërimi:”Pra, ju te tre, jeni krerët e kryengritjes së Kthellës kundër vilajetit të Matit!”Ai doli nga dhoma furishëm dhe i urdhëroi rojet që t’i vrisnin të tre të dërguarit e Kthellës dhe t’u prisnin kokat. Kështu u bë dhe tre kokat e trimave të Kthellës iu dërguan Sulltanit.
Por urrejtja e Pash Sakatit kundër popullit të Kthellës, nuk pushoi me këtë akt. Ai mori një vendim tjetër: Shpërbërjen e Kthellës. Kjo do të thoshte prurjen e familjeve matjane në territorin e Kthellës dhe shpërnguljen me forcë të popullsisë së Kthellës nga trualli i vet për t’i vendosur në Mat. Ky plan do të vihej në zbatim me dredhi. Fillimisht pashai ishte i interesuar ta bllokonte Kthellën nga Mirdita, që të mos i vinin ndihma prej saj. Prandaj ai do të organizonte një formë marshimi të forcave të tij,pa nënkuptuar armiqësi, të cilat do të hynin në fshatrat Perlat, Prosek, Rreshen deri pranë Fanit të vogël, në kufi me Ndërfushazin e Mirditës. Duke e menduar ta bllokonte Kthellën nga Mirdita e ndërkohë të fillonte shpërnguljen e banorëve me gjithe çkishin në Mat.Mirëpo këtu, pashai i kishte bërë hesapet keq. Ai nuk e dinte se banorët e Kthellës të informuar nga miqtë që kishin në Mat ishte përgatitur për luftë. Duke e ditur qëllimin e pashait, ata i zunë pritë ushtrisë së tij në çdo qosh rruge, e në çdo shteg, në çdo shtëpi.Ushtarët matjanë binin nga prita në pritë. Ata ishin vënë në formacion marrshimi e jo lufte, dhe u ranë në grackë nga prita në pritë. Të thyer keq prej popullit të Kthellës, u kthyen mbrapsht në Mat.
Pas kësaj disfate të turpshme për Pashë Sakatin, s’kishte rrugë tjetër veçse të hapte luftë me Kthellën. Mirëpo, kësaj radhe kapedani i Mirditës me dy djemtë e tij me 600 luftëtarë zunë pozicione lufte në ndihmë të Kthellës. Edhe 600 të tjerë zunë pozicion pritje pranë lumit Urakë e deri në Trang të Selitës. Komanda e lartë turke, ishte në dijeni që Mirdita ishte ngritur në këmbë për të ndihmuar Kthellën kundër Pashajt të Matit, dhe e urdhëroi Sakatin të hiqte dorë nga tre bajrakët e Kthellës. Kështu Kthella u shkëput nga Mati dhe pas kësaj bëri bashkimin me Mirditën duke njohur e pranuar kanunin e Lek Dukagjinit por edhe duke ruajtur disa zakone te vetat.
Djegja e kullës së Melyshajve, 1910.
Në 18 gusht 1910, tre taborre me ushtarë turq, rreth 500 veta, ngritën çadrat në zabelet e Melyshajve, në Rrëshen. Komandanti turk e vendosi shtabin e vet në hije të manit.Pas kësaj ai mblodhi burrat e 7 fshatrave të bajrakut të Kthellës dhe u tha se brenda tre ditësh: 1) duhet të dorëzojnë armët,2) do të bëhet rregjistrimi i popullsisë për të dhënë ushtarë (burrat nga 18 vjeç e lart) 3) do të bëhet edhe rregjistrimi i bagëtive për të paguar taksat.
Burrat kundërshtuan e thanë,që “ka tash 500 vjet që s’kemi dhanë as armë, as ushtarë dhe as taksa turkut”. Komandanti u xhindos dhe dha urdhër që ata që kundërshtuan të rriheshin. Populli u shtang.Përkthyesi i komandantit,një nip i Melyshajtve(Kros Përloshi) i tha komandantit që bëri gabim pasi “ky vend nuk duron as dru dhe as forcë”. Bajraktari i Kthellës, Gjon Melyshi,i njoftoi burrat që të nesërmen të mblidheshin tek Kisha e Madhe, tre orë larg Rrëshenit. Nga të tre bajrakët u mblodhën 1500 burra, të cilët lidhën besën që të mos u përgjigjeshin urdhërave të komandantit turk, pëveçse me zjarrin e armëve. Gjon Melyshi bëri një protestë të fortë kundër ushtrisë së Turgut Pashës, e cila u bë në disa kopje, në shqip dhe italisht, u firmos nga ai dhe krerët e tre bajraqeve dhe iu dërgua komandantit turk në Rrëshen; një kopje e saj valiut në Shkodër,një delegacionit apostolik Italian, një konsullit austriak,një kapedan Marka Gjonit në Orosh. Kapedani i Mirditës i çoi fjalë bajraktarit Melyshi që populli të rrinte i gatshëm për luftë, por në qoftë se komandanti turk pezullon veprimet, të mos preket asnjë ushtar turk. Familja bajraktare e Melyshajve ishte familje e madhe me 48 pjestarë, dhe jetonte në tre vende. Një pjesë tek dy kullat në Rrëshen, një pjesë tek kulla tjetër në Kolsh, një orë larg, dhe tjetra në Sërrisht- tre orë larg Rëshenit.Në këtë kohë rreziku e gjithë familja qe mbledhur tek kulla në Sërrisht. Komandanti turk duke e parë që punët po i shkonin keq, dha urdhër që kullave të bajraktarit në Rrëshen t’u vihej zjarri. Gjithashtu grabiti 35 kokë lopë e qe, të tijat. Populli i Kthellës u alamua. Familjet larguan gjënë e gjallë dhe filluan të hapnin llogore duke e përgatitur për mbrojtje. Dy bajrakët e tjerë të Kthellës Selita dhe Rranxa u bënë gati për luftë. Fshatra të tjera bënë gati për t’i shkuar në ndihmë – Kthellës. Komandanti turk duke ndjerë rrezikun pezulloi operacionin dhe u kthye në Shkodër.