Kuçi e mohon aktakuzën e Speciale, e quan atë si “prekje të dinjitetit”

Hagë, 9 dhjetor 2024 – Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë të bërë më herët gjatë ditës.

“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën, dhe jam identifikuar me drejtësi”, ka thënë Kuçi në fjalën e tij para gjykatës, duke shtuar se aktakuzën e konsideron si “prekje të dinjitetit”.

“Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdoj edhe nga sot, edhe në një pozitë tjetër, por prapë në funksion të saj dhe të vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimet që ua ka bërë kjo akuzë anëtarëve të familjes sime”, ka thënë mes tjerash Kuçi.

“Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin, Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”, ka thënë ai.

Prokuroria ka thënë se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës, dhe persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me rastin.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka thënë se do të marrë vendim pas parashtrimit të kërkesës.

Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë, dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

((r.m.)

Comment

*