Kufizimet në Shqipëri i shtyjnë studiuesit e rinj të shkojnë jashtë për kërkime shkencore

Fondet e pakëta, mungesa e transparencës dhe burokracia brenda universiteteve po i dekurajon kërkuesit e rinj shkencorë, të cilët po i hedhin sytë jashtë kufijve të vendit për të përmbushur ambiciet e tyre akademike.

Esmeralda Keta, BIRN

Kur Klodian Dhoska përfundoi studimet në vitin 2007, ai i hodhi sytë jashtë Shqipërisë për të vazhduar doktoraturën. Sot pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës, Dhoska thotë se mangësitë në kërkimin shkencor e shtynë atë që të largohej nga vendi për të përmbushur ambiciet e tij akademike.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, pak gjëra kanë ndryshuar.

“Ku është bota jashtë me kërkimin, ku jemi ne. Është si nata me ditën,” tha Dhoska për BIRN.

“Këtu ka një ngërç të madh, pasi vetëm 5% e stafit akademik merret me kërkim shkencor mirëfilli, ndërsa 95% as nuk e kanë prioritet,” shtoi ai.

Për herë të parë këtë vit, qeveria shqiptare deklaroi dyfishimin e fondeve për kërkimin shkencor nga 758 milionë lekë në vitin 2023 në 1.5 miliardë lekë për vitin 2024. Megjithatë, fondet në dobi të shkencës vazhdojnë të mbeten gati 10 herë më të ulëta se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

Rreth 500 milionë lekë ose 1/3 e buxhetit të vitit 2024 për kërkim shkencor buron nga financimi i huaj, i cili mbart edhe detyrimin për pjesmarrje në projekte të ndryshme ndërkombëtare. Kjo e ul ndjeshëm buxhetin në dispozicion të kërkuesve shkencorë në vend.

Shpërndarja e fondeve me pikatore nga ana e qeverisë nuk është problemi i vetëm. Sipas një monitorimi të kryer nga organizata “Qëndresa Qytetare”, edhe universitetet publike në Shqipëri i japin më shumë prioritet dekorimit të zyrave dhe blerjes së mobiljeve se sa fondeve që shkojnë në favor të shkencës.

Migen Qiraxhi, koordinator nga “Qëndresa Qytetare” i tha BIRN se indekset ndërkombëtare e tregojnë qartë se kërkimi shkencor ka mbetur prej vitesh në një rreth vicioz në Shqipëri. Ai shtoi gjithashtu se shumë rrallë ndodh që akademikët të angazhohen në kritika ndaj politikave publike.

“Akademikët, pra më të arsimuarit e vendit, Lirinë Akademike dhe kritikën e kanë si në vitin 1992, njësoj si 32 vite më parë, kur Shqipëria sapo kish dalë nga një sistem i mbyllur,” tha Qiraxhi.

Përballë kësaj situate, kërkuesit e rinj ndjehen të dekurajuar dhe vazhdojnë të kërkojnë universitete jashtë vendit për të përmbushur qëllimet e tyre.

Jetmira Ymeralilaj është një mësuese fizike në Berat e apasionuar pas fizikës eksperimentale. Ajo thotë se pasi përfundoi studimet Master, u përpoq që të angazhohej në kërkim shkencor, por nuk mundi të gjente derën e duhur.

Më fonde të mangëta dhe pa transparencë, Ymeralilaj thotë se në Shqipëri ka shumë pak mundësi për ata që duan të eksplorojnë kërkime shkencore mirëfilli.

“Për fizikën eksperimentale nuk ka, unë kam kërkuar, por nuk kam mundur të gjej ndonjë gjë, vetëm nëse unë nuk kam ditur të orientohem,” shpjegon ajo.

“Nëse do të bësh kërkim shkencor vetë, duhet ta nisësh nga anketat e thjeshta. Nuk ke mjetet e duhura dhe nuk ke mbështetjen e duhur,” shtoi ajo.

Pa dëshirën e saj, Jetmira po shikon emigrimin si një mundësi për të vijuar kërkimin shkencor.

“Kur jam zhgënjyer unë, që e dua fizikën mbi çdo gjë tjetër… Jam duke parë për të lëvizur, por ajo që më mban të dyzuar është se duhet ta filloj nga e para çdo gjë,” tha më tej ajo.

Edhe Gledia Shehi, një studente ekselente pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës, nuk e kishte në plan të largohej nga Shqipëria. Por pas një përvoje 5 mujore me programin Erasmus në Gjermani, ajo është e dyzuar.

“Pashë që atje kisha shumë më shumë mundësi, që në universitetin tim nuk i kam. Kisha akses në shumë informacione, mund të kërkoje çfarë të doje, ndërsa biblioteka jonë nuk është aq e pasur, është mjaft e kufizuar,” thotë Shehi.

“Edhe nëse do të zhvilloja doktoraturën në Shqipëri, nuk do të mbështetesha vetëm tek ajo që të ofrohet këtu, një pjesë padyshim që do ta realizoja jashtë,” shtoi ajo.

Pedagogu Klodian Dhoska rendit dhjetra arsye, që sipas tij e vështirësojnë rrugën e kërkimit shkencor në Shqipëri, por ai këmbëngul se “thembra e Akilit” qëndron tek cetralizimi i këtij procesi. Ai shpjegon se për të paraqitur një ide dhe për të bërë një aplikim, nevojiten disa rekomandime nga administratori deri te rektori i universitetit.

“Të gjithë këto hallka janë problem për firma. Njëri prej tyre të mos dojë, më heq mundësinë për të aplikuar. Pra ta zëmë, nëse nuk më do si person shefi i departamentit, unë ngelem në vend, nuk mund të aplikoj,” thotë Dhoska.

Decetralizimi, sipas tij, nënkupton zvogëlim të burokracive dhe sugjeron të ndiqen modelet e vendeve që e kanë kërkimin shkencor të zhvilluar, sipas të cilit, është pedagogu së bashku me grupin e tij të punës që aplikon dhe menaxhon projektin dhe jo universiteti.

“Shumica janë idividualistë, i fshehin informaconet apo materialet, të bllokojnë. Për mua, çelësi i suksesit është decentralizimi i kërkimit shkencor,” përfundoi ai.

(Reporter.al)