Intervistë me Dr. Pashko Rr Camaj, drejtor i lartë në zyrën e shëndetit dhe sigurisë në Metropolitan Transportation Authority dhe profesor i jashtëm, në Lehman College dhe William Paterson University
Nga Ruben Avxhiu
Dr. Pashko Rr Camaj është një nga autoritetet e shëndetit publik në komunitetin tonë. Gjatë këtij viti ai ka qenë në krye të përpjekjeve për edukimin e shqiptaro-amerikanëve lidhur me epideminë e koronavirusit.
Kjo intervistë me të përveçse që diskuton disa nga zhvillimet e fundit në këtë drejtim, ofron edhe mundësinë për ta njohur pak më mirë si profesionist, bashkatdhetar, dhe njeri.
Biseda hedh pak dritë në udhëtimin e jashtëzakonshëm të jetës së tij, që nis nga Tuzi në Malësi, në një regjim e sistem ku mundësitë e shqiptarëve për shkollim e përfaqësim politik ishin të kufizuara e në disa drejtime inekzistente. Ajo vijon pastaj te emigrimi duke kaluar kufirin në bagazhin e një makine, te doktorata në Columbia University dhe një jetë në shërbim të komunitetit tonë, shëndetit publik dhe shencës.
Këto intervista që janë për shumë gjëra njëkohësisht nuk mjaftojnë për të dhënë përmasat e plota të kësaj historie të jashtëzakonshme jete. Por është një kujtesë e thesarit të ngjarjeve njerëzore që flenë të harruara në komunitetin tonë.
Synimi i bisedës sigurisht është për të vijuar edukimin e lexuesve tanë për rreziqet dhe mundësitë e mëdha që bashkëjetojnë në këtë periudhë pandemie, për shpresat e shpëtimit prej saj dhe masave që mund të marrim për të siguruar mbijetesën e njerëzve me të rrezikuar rreth nesh.
Doktor, New York-u ishte një nga tre epiqendrat më të mëdha në botë të epidemisë në pranverë, mirëpo kemi pasur disa muaj të qetë ndërkohë që numrat u rritën në mbarë Amerikën. Tani më duket se një lloj vale e dytë po vjen edhe këtu. (Nga fillimi i nëntorit kemi kaluar nga 2000+ në gati 5000 në ditë raste të reja me gati 500 të shtruar të rinj në spital me COVID-19.) Sa e parandalueshme apo sa e pashmangshme është kjo? Çfarë duhet bërë?
– Kjo është e vërtetë; në krejt rajonin, duke përfshirë këtu dhe New York-un, pas shpërthimit të pandemisë, në muajt e pranverës, konkretisht gjatë muajve te verës, kemi parë rënie te dukshme te numrit te infektuarve. Këto rënie ishin rezultate i disa angazhimeve që ndikuan në ngadalësimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit dhe numrin e te infektuarve. Shkalla e infektimit, në muajt e pranverës ishte mbi 20 %, kurse ne fund te shtatorit ajo ishte rreth 0.5 %. Padyshim se angazhimet, filluar nga karantinat, rritja e testimeve, implementimi i distancës fizike dhe përdorimi i mbulesave të fytyrës, dhe maskave, kanë qenë kryesore për ngadalësimin e shpërndarjes se virusit, dhe rënien e numrit të të infektuarve, gjate kësaj periudhe. Gjatë muajve të verës, ishim më shumë jashtë, dhe ishte me lehtë të mbajmë distancë, por kjo gjë ndryshoi me fillimin e muajve te vjeshtës.
Dua te theksoj se në SHBA., ne jemi akoma në valën e parë te pandemisë. Në një farë mënyre, përhapja e korona-virusit deri më tani vazhdon të jetë më tepër si një seri shpërthimesh, sesa një valë. Pandemia Covid-19, në SHBA, po prek zona të ndryshme në të gjithë vendin, në mënyra të ndryshme, e në kohë të ndryshme. Kemi parë se pjesë të vendit që përjetuan shpërthime të rënda gjatë pranverës, përjetuan një rimëkëmbje. Vende të tjera nuk kanë pasur shumë raste, dhe disa shtete vetëm tani po përjetojnë një rritje të Covid-19. Edhe në zonat që kanë raportuar rënie të numrit të infeksioneve dhe vdekjeve, shpërthime të lokalizuara, vazhdojnë të ndodhin ngjarje “super përhapëse” – në të cilat, një person i infektuar transmeton virusin te shumë të tjerë, dhe këto duket janë shtyse kryesore te shpërthimeve qe shohim gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, është e qartë se vendet ku njerëzit jetojnë ose punojnë së bashku, apo në afërsi të njëri tjetrit, kanë pas më shumë përhapje të korona-virusit.
Si përgjigje në pyetjen se çfarë do të bëhet, strategji kryesore mbetet eliminimi i kushteve që favorizojnë përhapjen e gjerë. Tashmë janë identifikuar disa faktorë që ndikojnë në rritjen e mundshme përhapjes së virusit: qëndrimi ne hapësira të mbyllura me ventilim të dobët, turma në afërsi të njëri tjetrit, dhe kontakte te afërta. Prandaj, për t’ju përgjigj pyetjes; duhet te vazhdohet të praktikohet me ato veprime që kontribuuan në rënien e numrave, në mënyrë që të “blejmë” kohë, derisa të përfundojmë me një vaksine efikase dhe te sigurte, e cila do ta ndaloje këtë pandemi globale.
Italia ka pasur një trajektore të ngjashme me ne. Shumë u fol për disa deklarata mjekësh aty që virusi është dobësuar etj. Mirëpo, vetëm dje pashë që kishin vdekur mbi 600 vetë në një ditë. Ne nuk po shohim ende diçka të ngjashme në New York, mirëpo në pranverë ishim një muaj mbas Italisë në “kalendarin e epidemisë”. A do të rikthehemi edhe këtu te qindra të vdekur në ditë?
-Në thjeshtësinë e vet, viruset ndryshojnë ose bëjnë mutacione te shumta me qellim që ato të mbijetojnë dhe te shpërndahen. Nuk është ‘beneficiale’ per virusin qe ta mbysë nikoqirin e vete (te infektuarin). Duket se virusi është ‘zbutur’ pakëz, por jo dhe ne lehtësinë e shpërndarjes se tij prej personit në person. Unë mendoj se në SHBA jemi në një pozitë shumë më të mirë për të menaxhuar situatën tani, sesa para disa muajve. Dhe nëse kalojmë në një valë të dytë, tani më kemi mësuar shumë më tepër mbi këtë virus. Kemi mësuar me shume mbi mënyrën e përhapjes së virusit dhe ekspozimin ndaj tij. Kemi mësuar se duhet te kemi kujdes të veçantë për njerëzit që i takojnë grupit të më te rrezikuarve, te moshuarit dhe ata qe kanë imunitet te dobësuar, si pasojë e sëmundjeve, apo kushteve shëndetësore paraprake. Por më tepër, dhe po aq e rëndësishme është, kemi mësuar të trajtojmë infeksionet me mire, kemi arrit që të përmirësojmë barnat dhe të gjejmë ilaçe shumë më efikase, dhe e gjithë kjo reflektohet në një shkallë relativisht të ulët të vdekshmërisë dhe te virulencës së këtij virusi, krahasuar me muajt e pranverës. Te gjitha këto me japin shprese, se në New York me rrethe, nuk do te kthehemi ne muajt e pranverës se kaluar.
Shqiptarët më duken gjithmonë më të rrezikuar se të tjerët kryesisht për arsye kulturore e shoqërore. Familjet e mëdha jetojnë bashkë ose mblidhen shpesh. Njerëzit janë shumë të shoqërueshëm dhe mblidhen në grupe. Burrat sidomos i kanë për turp masat mbrojtëse në publik etj. Çfarë këshille apo mesazhi do të kishit për komunitetin tonë?
– Kjo është e vërtetë! Në përgjithësi ne jemi pak më te afërm se të tjerët, kështu që kemi prirje të rrimë më shumë me njëri-tjetrin. Kam vërejt një gjë interesante, që shumë nga ne kemi prirje të minimizojmë ketë problem, në veçanti me deklarata publike, por privatisht ne përpiqemi që në të vërtetë të praktikojmë rekomandimet për të cilat kemi folur. Kështu që fare mirë e vërejmë se shumë nga aktivitetet tona kulturore që janë aktuale gjatë viteve të rëndomta nuk po ndodhin këtë vit, duke përfshirë ngjarje shoqërore, dasma etj. Shoh se këto aktivitete, edhe nëse ndollën, janë ne numra shumë me të vogël, dhe njerëzit po ndjekin udhëzimet, duke u përpjekur të praktikojnë distancën sociale dhe përdorimin e mbulesave te fytyrës dhe maska.
Ky injorimi i rrezikut mbase është i kuptueshëm se disa figura publike, përfshi edhe Presidentin Trump, që është relativisht i vjetër në moshë, ka hyrë për 75 vjeç, dhe shumë mbipeshë, e kaloi pa shumë probleme. Tani jo të gjithë kanë cilësinë e kujdesit shëndetësor të presidentit, mirëpo fakti mbetet që shumë po shërohen. Nga ana tjetër, kemi raste të moshave relativisht të reja që po vdesin. Si duhen lexuar këto raste?
-Ka shumë faktorë që mund të luajnë rol në qasjen e infeksionit. Ne shumicën dërmuese të rasteve, kemi parë vdekshmëri në njerëz të moshuar dhe ne ata me kushte para-ekzistuese me një ose dy komorbiditete. Kemi parë gjithashtu, njerëz që kane qenë të shëndetshëm, por që fatkeqësisht janë sëmurë rende, disa edhe kanë vdekur. Këto mund të jene dhe pasoja nga faktorë te ndryshëm, duke filluar me ‘ngarkesën viruale’ dhe periudha se kur filloi trajtimi mjekësor dhe se a ishte ai trajtim ne kohe te duhur apo vetëm kur simptomat fillestare u injoruan, dhe kujdesi mjekësor u vonua. Megjithatë, shifrat tregojnë qarte, se raste te tilla janë relativisht të rralla.
Këto ditë pati një lajm shpresëdhënës për vaksinën. Një nga katër-pesë konkurrentët kryesorë duket se ka kaluar me sukses fazën e fundit. Ose të paktën kështu pretendon (kam lexuar disa kritika që presin më shumë detaje nga Pfizer, që mbase dalin kur të aplikojnë për aprovimin e FDA-së). Cila është perspektiva me këtë? A do të vijë në kohë? Kur mund të prodhohet në masë? A do ta pranojnë njerëzit?
– Që nga fillimi, në të gjitha shkrimet e mia që kam bere, kam thënë që vaksina efikase dhe e sigurte është thelbësore, kontrolluese, dhe përfundimi i pandemisë. Lajmet e kësaj javë janë një lajm i mirëpritur dhe madhështor. Jo vetëm Pfizer, por edhe organizatat tjera farmaceutike janë në prag të zbulimit te vaksinës. Efikasiteti mbi 90%, dhe pa efekte anësore të dukshme, të cilat janë dy faktorët kryesorë, që janë të nevojshëm për t’u aprovuar një vaksinë, janë lajm i shpresëdhënës, jo vetëm për SHBA, por mbare boten. Sa për ilustrim, efikasiteti i vaksinës për grip sezonet, sillet prej 30-50 %, dhe shume rralle, mund te arrijë efikasitetin prej 60 %. Hulumtimet qe janë bërë në këtë lami janë te papara ndonjë herë. Për një vaksine te rëndomte, punohet vite të tëra. Kësaj here, duket qe do kemi vaksinën për më pak se një vit! Megjithëse kemi shumë skeptikë, jo vetëm për këtë vaksinë, por mbi vaksinat në përgjithësi, unë besoj se vaksina do të jetë gati para vitit të ri, dhe presim miliona doza në fillim të dhjetorit. Ato, fillimisht do t’u jepen atyre që janë me te rrezikuar (të moshuarit dhe kuadrot mjekësorë dhe të ndihmës urgjente), dhe me vone, deri kah fillimi i pranverës, kjo vaksinë do te jete ne përdorim për publikun e gjerë, gjë qe do mundëson fillimin e të kthyerit në normalitet.
Doktor, do të doja të dija edhe diçka më personale rreth jush. Sepse jeni në rrugën e mjekëve dhe shkencëtarët e komunitetit që janë përpjekur të edukojnë shqiptaro-amerikanët për problemet e shëndetit, si Dr. Agim Leka etj. Kur keni ardhur ju në SHBA? A erdhët me familje apo vetë? Si është historia? Nëse mund të më tregoni edhe se nga cilat troje kombëtare janë prindërit?
– Kam ardhur në SHBA përmes kufirit jugor, në bagazhin e një makine kur isha 20 vjeçar, padyshim ashtu si dhe shumë të tjerë nga brezi ynë, përmes vështirësive, por fatmirësisht gjetëm mbështetje nga familja dhe të afërmit që ishin këtu që më parë. Familja ime e ka origjinën nga pjesa jone autoktone ne Malin e Zi, nga zona e Malësisë, gjegjësisht nga Tuzi. Aty ne kemi rrënjët tona pothuajse mijëvjeçare. Fatkeqësisht, ngjarjet që kanë ndodhur në këto vende, gjatë shekullit te kaluar, bënë që një numër i madh prej nesh të përfundojë në këtë vend. Si i ri, jetën në SHBA e kam filluar si edhe shume tjerë, punë dhe angazhim. Kam pasur fat që në të njëjtën kohë të krijoj edhe familje dhe të vazhdoj me ëndrrën time, shkollimin ne këtë vend që të jep mundësi e arrish atë që shpeshherë duket e pamundshme!
Si vendosët të hynit në fushën e shëndetit publik? Çfarë ju shtyu ta zgjidhnit si profesion dhe ku keni studiuar e punuar?
– Si i ri, në vendlindje, kisha dëshirë te studioja mjekësinë. Shkollimi ime ne Malin e Zi perfundoi në një shkollë para-mjekësore, me shpresat për të qenë në gjendje të regjistrohem në fakultetin e mjekësisë, të cilën e provova 1983 pranë fakultetit te Mjekësisë ne Prishtine. Për fat të keq, dhe për shkak të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë faktin se ishim mijëra aplikantë për vetëm 300-400 vende, nuk me pranuan. Ajo ishte një nga ditët më të dëshpëruara të jetës sime! Mbas 2 vitesh, vendosa për t’u larguar nga vendi dhe përfundova në Shtetet e Bashkuara. Ne moshën 28 vjeçe, fillova studimet universitare dhe master në Universitetin e qytetit të New York-ut, në fushën e mjedisit dhe shkencave të shëndetit publik. Me vone, dhe si përfundim i udhës sime universitare, mora gradën e Doktoratës në Universitetin Kolumbia. Dua te cilësojë se punimi im shkencor ka qenë pikërisht lidhur me Kosovën, pra ne një farë mënyre kompletim i misionit tim nga rinia e hershme. Punimi im shkencor me studiuesit nga Universiteti Columbia ka pas të bëjë me efektet afatgjate të ndotjes se ajrit me plumb, nga operacionet e shkritores se plumbit ne Mitrovicë. Një nga këto studime është publikuar në “Journal of Environmental and Public Helath” ne vitin 2018. Kam pasur fat qe krahas me këto, te vazhdoj dhe karrierën time profesionale dhe akademike. Gjegjësisht jam drejtor i lartë në zyrën e shëndetit dhe sigurisë në Metropolitan Transportation Authority (organizatë e transportit publik me 60,000 punëtorë, në New York). Në të njëjtën kohë jam edhe profesor i jashtëm, në lëmin e shëndetit publik, ekologjisë dhe epidemiologjisë, në Lehman College dhe William Paterson University. Aty kam edhe studentë shqiptarë.
Ju jeni edhe aktiv në komunitet, si nënkryetar i Vatrës. Së fundi ishit edhe në Uashington përpara bisedave me Kosovës dhe Serbisë. Sa e rëndësishme është kjo pjesëmarrje për ju?
– Jam munduar të kontribuoj çështjes sonë kombëtare në mënyrat që kam pas mundësi. Këtë e kam bërë edhe si anëtar në udhëheqësinë e Federatës Pan-Shqiptare-Vatra, tani edhe në cilësi të njërit nga nënkryetarët e saj. Unë mendoj se pjesëmarrja në Uashington gjate bisedimeve SHBA-Kosove-Serbi ishte e rëndësishme, jo për vetën time, por për të treguar se shqiptarët ne këtë vend do vazhdojnë të jenë urë lidhëse dhe përkrahës të çështjes sonë kombëtare. Ne duhet të jem të gatshëm të përkrahim njerëzit tonë, qe të negociojnë, qe te mund të flasin, dhe te jenë faktorë qe vendosin për të ardhmen e vet. Ne kemi parë se për disa vite, nuk është bërë pothuajse asgjë për çështjen e Kosovës, kemi pare një stagnim, që dëmton te ardhmen tone. Unë besoj se bisedimet me Serbinë, veçanërisht kur pranë nesh kemi mikun tonë te përjetshëm SHBA, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, do te ndihmojnë të krijojmë marrëveshje më të mira, që janë premtuese për popullin tonë jo vetëm në Kosovë, por në te gjithë rajon.
Unë ju falënderoj për informacionet e shkrimet që keni ndarë me gazetën “Illyria”, në media, në Facebook e rrjetet e tjera sociale, për të edukuar publikun. Në këtë periudhë mosbesimi e lajmesh të rreme, histerish të pabaza, dhe recetash e kurash magjike, kemi nevojë të dëshpëruar për informacion të besueshëm e profesionist. Kush është mënyra më e mirë sipas jush për t’u informuar?
– Siç e dini, ne jetojmë në ‘epokën e informacionit’, shpejtësia e të cilit, për fat të keq, shpesh herë edhe mund te keqpërdoret. Ne veçanti, ne rrjetat sociale, por shpeshherë, edhe ne qarqe tjera, më të besueshme, shohim histori dhe informacion te rrejshme. Unë mendoj se këto platforma, kanë rëndësi, por duhet të kemi kujdes se si dhe nga kush vijnë, këto informata. Ne duhet që të shfrytëzojmë këto platforma për përhapjen e informacionit, por të kemi kujdes që informacioni të jetë i duhur, sa me i saktë, dhe më e rëndësishmja, te jete aktual dhe i dobishëm për njerëzimin.
Cili është mesazhi juaj i shkurtër për shqiptaro-amerikanët në New York dhe në SHBA? Por edhe për lexuesit tanë kudo, në kushtet e rrezikut nga pandemia?
– Qe nga fillimi, e gjatë gjithë kësaj kohe të errët qe kemi jetuar të gjithë, mesazhi im ka qenë i qartë dhe i qëndrueshëm. Unë inkurajoj dhe ju bëj thirrje lexuesve tuaj të vazhdojnë të jenë vigjilentë sa më shumë që të jetë e mundur, për të vazhduar me praktikat e këtyre 8-9 muajve të kaluar; me praktikimin e higjienës së mirë, me mbajtjen e distancës sociale dhe përdorimin e maskave apo mbulesave te fytyrës. Ndërsa vazhdojmë kërkimin tonë për një terapi më efikase, dhe tani që jemi në prag te një vaksine, e cila së shpejti do jetë në disponim, duhet te kemi kujdes maksimal. T’i japim kohë shkencës në finalizimin e vaksinës, shpërndarja e se cilës do te jete fillimi i fundit për këtë pandemi-dhe kthim në normalitet për mbarë njerëzimin.