Kulla Eiffel rihapet pas mbylljes rekorde

Paris, 16 korrik 2021 – Kulla Eiffel në Paris rihapet sot për vizitorët, për herë të parë pas nëntë muajsh.

Ka qenë kjo mbyllja më e gjatë që nga Lufta e Dytë Botërore, e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Kapaciteti ditor i vizitave do të kufizohet në 13,000 vetë – që është rreth gjysma e nivelit normal – për t’u respektuar distanca fizike.

Nga e mërkura e javës së ardhshme, vizitorët do të duhet të tregojnë edhe dëshmi të vaksinimit ose test negativ të koronavirusit, në përputhje me kërkesat e fundit të vendosura nga Qeveria franceze.

Kulla Eiffel zakonisht tërheq rreth shtatë milionë vizitorë çdo vit – rreth tri e katërta e tyre nga jashtë.

Por, për shkak të kufizimeve nga pandemia, monumenti 130-vjeçar pritet të humbasë 70 milionë euro në vitin 2021, pas një humbjeje prej 52 milionë eurosh vitin e kaluar.

Franca ka nisur lehtësimin gradual të masave kundër koronavirusit qysh në muajin maj, duke rihapur restorantet, dyqanet dhe hapësirat kulturore, pas disa muajsh mbylljeje.

Franca është ndër vendet më të goditura në Evropë nga koronavirusi.

Ajo ka regjistruar mbi 5.8 milionë të infektuar dhe mbi 111,000 viktima.

(REL)