Kulla: Gjendja shëndetësore e Nanos është shumë më e mirë

Tiranë, 7 shtator 2023 – Ilir Kulla, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Fatos Nano dhe mik i familjes Nano, ka treguar se ish-kryeministri është në gjendje shëndetësore shumë më të mirë.

“Gjendja është shumë më e mirë dhe mjekët janë optimistë. Ai është i vetëdijshëm, situata po përmirësohet. Duke e njohur sa i fortë është Fatosi, jam i bindur se do ia dalë. Ka karakter të fortë dhe luftarak. do t’ia dalë”, ka thënë Kulla në “Breaking News”.

Ai ka thënë se tani mjekët janë optimist, por faza e relabilitimit të jetë e gjatë.

“Unë nuk kam mundur ta vizitoj sepse është në reanimacion dhe mjekët thonë se ka kaluar faza e rrezikut. Tani ka një punë të madhe drejt rehabilimit”, është shprehur Kulla, citon Panorama.

Fatos Nano është shtruar në spital prej më shumë se dy javësh, për shkak të problemeve me frymarrje. Deri para pak ditësh ai ishte në intubim, me frymarrje të asistuar.

Gjatë trajtimit të tij në spital, Kryeministri Edi Rama ia akordoi Medaljen e Mirënjohjes Publike, për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik në Shqipëri.

Në urdhrin e firmosur nga Rama, ndër të tjera, thuhet se kjo medalje i jepet edhe “për frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën shembullore në momente tejet të vështira të politikës kombëtare dhe personale, si edhe për rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit”.

(r.m.)