Kundër Assadit, për Sirinë… për Kosovën

Diktatori Assad që dikur premtoi se Kosova nuk do të njihej kurrë si shtet, arratiset nga Siria duke lënë pas një shtet në gërmadha

Nga Ruben Avxhiu

Një nga fushëbetejat më të ashpra, në luftën diplomatike për njohjen e Kosovës, u zhvillua në botën myslimane.
Mendohej se Kosova si vend me shumicë myslimane do ta kishte të lehtë të njihej aty. Madje Serbia për vite me radhë ishte përpjekur ta trembte Amerikën dhe Europën duke e paraqitur Kosovën si një projekt panislamik, duke ua tundur përpara syve gogolin e terrorizmit islamik, me pretendime se Al-Kaida ishte në Kosovë, se vetë Bin Laden ishte strehuar aty dikur etj.
Nga ana tjetër, duke e parë suksesin që pati Serbia me këtë metodë gjatë luftës në Bosnje, Kosova me kujdes i kishte anashkaluar çështjet e identitetit fetar, pa qenë nevoja të manipulonte e gënjente si Serbia, sepse vërtet që rezistenca shqiptare më së shumti ishte kombëtare e se përkushtimi ndaj lirisë së Kosovës ishte i njëjtë si mes myslimanëve ashtu edhe mes katolikëve shqiptarë.
Pas shkurtit 2008, kur beteja filloi për njohjen në botën myslimane, Kosova pati përkrahjen e rëndësishme dhe aktive të Erdoganit të Turqisë, pikërisht në një kohë kur ndikimi i tij në Lindjen e Mesme ishte rritur shumë. Një mbështetje tjetër kritike i erdhi nga Arabia Saudite. Por bota myslimane ka larminë dhe ndërlikimet e saj. Egjipti ka qenë historikisht një lloj kundërpeshe ndaj sauditëve, kurse Irani për nga vetë identiteti fetar dhe historia është një tjetër pol politik me ndikim.
Dy faktorë të njohur pengonin Kosovën, influenca ruse mes shumë vendeve arabe e myslimane si dhe shfrytëzimi nga Serbia i miqësisë historike të Jugosllavisë me shumë vende myslimane që nga koha e Luftës së Ftohtë, sidomos në kuadrin e Lidhjes së Vendeve të Paangazhuara.
Një nga mjediset ideale për betejën diplomatike për njohjen e Kosovës ishin samitet e Konferencës Islamike, që mblidhte të gjitha vendet me shumicë myslimane. Shqipëria si vend anëtar punoi shumë diplomatikisht për ta ndihmuar.
Rasti i parë erdhi shumë shpejt, vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mbajt në Senegal, një samit i Konferencës Islamike. Senegali kishte qenë një nga katër vendet e para që njohën Kosovën. Vendi i parë afrikan dhe i dyti mysliman që iu bashkua Francës, Kosta Rikës, Afganistanit, dhe Shqipërisë.
Kosova bëri kërkesë dhe u pranua, që të dërgonte dy përfaqësues që të ndiqnin samitin. Udhëtuan aty ministri i atëhershëm i Arsimit, Enver Hoxhaj, që më vonë do të bëhej ministër i Jashtëm si dhe Besim Çollaku, në atë kohë këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi.
Serbia kërceu menjëherë, duke marrë pjesë edhe ajo në Samit, ku aplikoi për status të Anëtarit Vëzhgues në Konferencën Islamike.
Ndërsa diplomatët e Kosovës tregonin për krimet serbe, shkatërrimin e xhamive, genocidin antimysliman në Bosnje dhe më tej, diplomatët serbë përdornin emocionet e situatës në Irak, e paraqisnin Kosovën si të pushtuar me dhunë nga agresorët amerikane, një vend në Ballkan si Izraeli në Lindjen e Mesme. Pas dy dekadash pretendimi në Washington se ishte Izraeli i Ballkanit, tani Serbia po bridhte nëpër botën myslimane duke denoncuar Kosovën si një lloj Izraeli të ri.
Në vitin 2009, beteja do të vijonte në Sesionin Vjetor të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Konferencës Islamike, që do të mbahej në Damask të Sirisë, në maj 2009.
Shumë shpejt erdhi lajmi i keq. Jo vetëm që Kosova nuk do të mund të lobonte ministrat e Jashtëm myslimanë, por Siria nuk pranonte t’u jepte as vizën për të hyrë në vend si vizitorë.
Regjimi i Bashar al-Assadit, vendosi që të ndiqte në mënyrën më ekstreme vijën e Rusisë dhe të Iranit të cilët po rreshtoheshin bindshëm në krahun e Serbisë. Diplomatët e Kosovës, mbase kishte arsye për të mos i lënë në sallën apo në ndërtesën e një konference ku nuk ishin anëtarë, por refuzimi edhe i vizës hyrëse ishte një gjest shumë përjashtues e i poshtër.
Në 13 maj, dy javë përpara Samitit, Siria priti me ceremoni ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq. Vetë diktatori Assad u takua kokë më kokë me të dhe deklaroi publikisht se Siria nuk do ta njihte Kosovën.
Të dy premtuan se një bashkëpunim i rëndësishëm në shumë nivele do të fillonte mes Sirisë dhe Serbisë.
Assadi e mbajti premtimin. Dëshmoi po atë konseguencë kundër Kosovës që ka treguar edhe me shtypjen mizore dhe kriminale të popullit të tij.
Në çdo votim, në çdo organizatë ndërkombëtare që ka marrë pjesë, Siria ka votuar kundër Kosovës, përfshi edhe në votën e poshtër për anëtarësim në UNESCO në vitin 2015.
Dua ta nënvizoj këtu se Siria mund të mbante këtë qendrim dhe të lobonte kundër Kosovës, pa qenë nevoja të refuzonte vizat ndaj diplomatëve të Kosovës. Ata po vinin për një takim ndërkombëtar që ishte përtej Sirisë. Vetë Konferenca Islamike nuk kishte ndonjë problem që zyrtarët e Kosovës të ishin aty. Një raport bashkëpunimi ishte vendosur me Samitin në Senegal, në mars 2008.
Që atëhere kam pasur për Bashar al-Assadin dhe regjimin e tij një mëri e neveri që vetëm ka ardhur duke u shtuar, sidomos kur pashë se si shtypi me dhunë protestat për demokraci, apo kur pashë se si u qëllua me armë mbi masën e njerëzve që përfshinte disa nga figurat e njohur të artit e të kulturës siriane. Siria pastaj u zhyt në një luftë civile të shmangshme nëse nuk do të kishte një diktator mizor, i cili, nga e keqja, përfundoi në një kukull qesharake në duart e Rusisë dhe Iranit.
Megjithatë, për një kohë, u duk se ia hodhi. Lufta civile degjeneroi në një kaos nga gërmadhat e të cilit u ngrit ISIS-i famëkeq. Beteja mes dy të këqiave përfundoi me rrënimin e versionit modern të shtetit mesjetar, në mos imagjinar, islamik. Shumë të rinj shqiptarë humbën jetën në atë marrëzi. Miliona sirianë morën udhët e botës, të mbetur pa atdhe e pa jetë normale.
Mund ta merrni me mend neverinë e shumëkujt kur panë që Assadi dalëngadalë pas shumë vitesh po përpiqej së fundi të dilte nga izolimi diplomatik (shumica e vendeve të botës refuzonin komunikimin me të). Edhe vetë Lidhja Arabe që e kishte përjashtuar vendosi t’ia hapë derën. Lufta kishte mbaruar. Të gjithë po mendonin se çfarë do të bëhej me këtë popull të mbetur rrugëve. Bashkëpunimi me regjimin fitues të Assadit dukej i pashmangshëm.
Dhe ja, në pak ditë situata u kthye kokëposhtë. Një vërshim i papritur tërbimi e dëshire për hakmarrje, nga grupe të armatosur e pjesëmarrje masive popullore, një vrap i fundit për të pamundurën. Disa grupe thonë se janë armatosur nga Turqia e Erdoganit. Disa të tjerë janë grupe refugjatësh të rikthyer në vendin ku u janë masakruar prindërit e gjyshërit. E disa janë rigrupime ish-kryengritësish të mbijetuar e të riorganizuar rishtas, nga gjiri i një populli pa të ardhme.
Në pak ditë, qytetet kryesore ranë njëra pas tjetrës. Mijëra ushtarë të komunitetit alevi, që sundonte mbi të tjerët, janë vrarë për t’i shërbyer një diktatori dhe ushtria e tij nuk donte të luftonte më. Miqve të tij në Iran u është lidhur dora e gjatë me emrin Hezbollah me të cilën ndihmonin Assadin. Rusia e ngecur në agresionin e saj të passuksesshëm në Ukrainë, është detyruar të marrë ushtarë nga Koreja e Veriut për t’i hedhur në kazanin ku digjen jetë të reja për ambicjen e sëmurë të Putinit plak.
Dukej keq situata por askush nuk mendonte se do të rrëzohej komplet shteti brenda një jave.
Sot, kur mësova lajmin se Bashar al-Assadi ia ka mbathur si frikacak nga vendi të cilin e shtypi me gjak, pata një ndjesi shpagimi: Ironia që njeriu që pengoi dy zyrtarë të Kosovës që të hynin në Siri, tani nuk hyn as vetë dot aty. I dëbuar nga populli i tij, nga politikat e ngatërruara ku vendosi të hynte jo thjesht për të qëndruar në pushtet, por për të pasur një pushtet absolut, një diktaturë.
Mbase kjo ndjenjë më bën që t’i ngjaj pak Njeriut me Top të Dritëro Agollit, që në mes të Luftës së Dytë Botërore, kur bota po digjet, e Shqipëria ndodhet në udhëkryq, e ka mendjen të lajë hesapet me hasmin e vet. Por ky është njeriu. Për më tepër gjërat nuk janë aq të ndara. Qëndrimi ndaj Kosovës nuk ishte një rastësi. Ishte një shenjë. Një ogur.
Nuk e di se çfarë vjen për Sirinë tani. Një vend i komplikuar me popullsi të larmishme që nuk është i lehtë për t’u mbajtur bashkë e për t’u qeverisur. Ndryshimi sjell tranzicione që jo gjithmonë administrohen mirë. Kur mendoj për Irakun pas Saddamit dhe Libinë pas Gaddafit, kam arsye të jem pesimist. Por, diktatura e Assadit nuk ishte nga ato që të paktën ofrojnë stabilitet dhe paqe. Ishte një makinë vdekjeje që nuk ngopej. Në një farë mënyre, sirianët nuk kishin më asgjë për të humbur. Nuk është çudi që alevitët të përjetojnë tani një pjesë të ferrit që përjetuan bashkatdhetarët e tyre për dekada me radhë. Por mund të ketë edhe zgjidhje politike që shmang hakmarrjet e hap rrugën e një kompromisi të madh.
Turqia, vendet arabe, Rusia, e të tjerë mund të gjejnë mënyra komunikimi për të pranuar një qeveri të re. Një investim ndërkombëtar me mbështetjen e Perëndimit mund të sigurojë kthimin normal të miliona sirianëve në atdheun e tyre me një shpresë të re. Vështirë të gjesh një popull në botë që ka vuajtur më shumë në fillimin e këtij mijëvjeçari të ri.

 

Comment

*