Kur bijtë e shqipes fluturuan nga Amerika drejt Kosovës

20 vjet më parë, Batalioni Atlantiku u nis nga Yonkers, New York, për t’iu bashkuar UÇK-së.

Kishte vetëm një gazetë madhore shqiptare që ndoqi nga afër këtë nisje, gazeta “Illyria”.

Ky shkrim nga Vehbi Bajrami, sot botues i gazetës “Illyria”, është marrë nga libri i tij “Shqiptarët e Amerikës”. Ai është botuar fillimisht në gazetën tonë, në ato ditë entuziaste po edhe nervoze të prillit 1999.

Shkrimi u kushtohet të rinjve shqiptaro-amerikanë, të cilët të frymëzuar nga qendresa heroike e popullit shqiptar në Kosovë dhe të revoltuar nga krimet serbe ndaj popullatës së pambrojtur, vendosën të lënë jetën plot premtime në Amerikë për t’u nisur drejt rrezikut dhe tmerrit të luftës. Ata nuk donin ta linin atdheun vetëm, në orën e tij më të vështirë. Të paktën tre prej tyre nuk u kthyen më kurrë.

Lavdi, trimërisë dhe sakrificës së tyre!

Nga Vehbi Bajrami

YONKERS

Gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Asllan Bushati shqipton urdhërin “Gatitu” për ushtarët. Pastaj, udhëheqësi i batalionit “Atlantiku”, Hysni Syla dhe ish komandant i Flotës Ushtarake Detare Shqiptare (FUDSH), Skënder DoçI parakalojnë para ushtarëve. Më pas, si në kor, dëgjohet zëri i fuqishëm: “UÇK, UÇK”, një thirrje kjo e dëgjuar shpesh në mbledhje e demonstrata të shqiptarëve që kur kjo ushtri rroku armët dhe i doli për- ballë armikut shekullor.

Ditë e ftohtë prilli e vitit 1999. Aleanca ushtarake e NATO-s vazhdon bombardimet e trupave serbe nga ajri, ndërsa në tokë Ushtria Çlirimtare e Kosovës lufton ballë për ballë me armikun dhe thërret bijtë e vet nga diaspora për t’i dhënë grushtin e fundit forcave serbe që kanë zbrazur gjysmën e Kosovës.

Sot është një ditë e veçantë për gjithë diasporën e Amerikës: ajo nis ushtarët e vet për në luftë. Sot, bijtë e shqipes marrin fluturim drejt vendlind- jes. Ajo deri tani i ka parë djemtë në demonstrata, në mbledhje e në fushata për të mbledhur ndihma për ushtarët tanë në frontin e luftës. Të gjithë këta njerëz që kanë ardhur sot në Yonkers nuk kanë asistuar kurrë më parë në një ceremoni të tillë, të ngarkuar me kaq shumë emocione e krenari.

Në oborrin e restorantit “Royal Regency” në Yonkers të New York-ut, ushtarët e veshur me uniforma të bukura të batalionit “Atlantiku” janë rreshtuar në kolona të gjata dhe përcjellin fjalimet e urdhërat e eprorëve, për të bërë betimin para se të lënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’iu bashkuar luftëtarëve të UÇK-së. Janë çaste me të vërtetë solemne. Pranë janë të afërmit e tyre që kanë ard- hur këtu t’i përcjellin. Deri para pak çastesh ata qenë njël- loj. Thirrja e atdheut i veshi një pjesë me uniformën e ushtarit.

“Vullnetarët që sapo bënë betimin, qysh sot numërohen ushtarë të UÇK-së dhe e ndjejnë veten krenarë që po shkojnë për të luftuar për çlirimin e Kosovës kresh- nike nga bisha gjakatare serbe”.

Janë fjalët e ish komandantit të FUDSH-së, Skënder Doçi, i cili pasi i hedh një vështrim kolonave të batalionit falënderon ushtarët dhe familjet e tyre për ndjenjat e larta patriotike që po shprehin në këto momente historike.

– Ne shkojmë në luftë për të fituar dhe do të fitojmë, sepse ne luftojmë në tokën tonë, për atdheun tonë, për lirinë e popullit tonë-, thotë ai me një ton ushtarak të lartë dhe, më pas, jep premtimin: – Duke kujtuar historinë e popullit tonë, luftërat e pandërprera të të parëve tanë, amanetin e martirëve të rënë për çlirimin e atdheut, ju premtojmë se do të tregohemi trima të zgjuar, të pamëshir- shëm ndaj armikut gjakatar, të shkathët e dinakë dhe do të bëjmë të pamundurën për çlirimin e Kosovës. Të rinjtë e përfshirë në urdhërin për mobilizim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të paraqiten për regjistrim dhe për të filluar përgatitjen ushtarake me moton: “Sa më shumë djersë në stërvitje, aq më pak gjak në luftë”.

Batalioni “Atlantiku” përbëhet nga shqiptarë të të gjitha trojeve tona etnike, siç është e përbërë edhe vetë UÇK-ja, siç e ka vënë në dukje edhe kryeministri i qev- erisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi në letrën drejtuar ushtarëve.

UÇK-ja që në fillim qe bërë objekt sulmi nga një pjesë e gazetarëve dhe politikanëve të huaj, mjerisht edhe të disa shqiptarëve. Ndërkohë që në malet e Kosovës, ushtarët tanë po jepnin jetën duke mbrojtur vendin, nga zyrat e disa politikanëve e redaksive dëgjoheshin sulme e etiketime kundër tyre. Banda kriminale e Millosheviçit kishte marrë disa mesazhe nga jashtë: “Është çështje juaj e brendshme se si do të përballoni këta terroristë”.

E merr fjalën komandanti i batalionit “Atlantiku”, Hysni Syla. Me një ton të lartë ushtaraku ai u jep përgjigjen e merituar atyre që akuzo- jnë djemtë trima të UÇK-së, të cilët, siç thotë ai, nuk rrokën armët e as morën vdekjen në sy për mjekrën e Marksit e as të Leninit, as për “lodrat” terroriste të Bin Ladenit; as për bashkimin e vëllazërimin e rremë e as për internacionalizmin e mallkuar proletar. I vetmi fla- mur i tyre ishte dhe është flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare. I vetmi ideal i tyre ishte dhe mbetet liria e demokracia, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës nga regjimi më barbar që ka njohur historia e njerëzimit në këto 50 vjetët e fundit.

Elinda Muriqi, më e vogla në radhët e “Atlantikut”, është vetëm 16 vjeç. Ajo ishte nxënëse në një shkollë të Bronx-it. Babai i saj Ramizi, tashmë gjendet në luftë.

“Vendlindja na thërret”, thotë kjo vajzë e brishtë, moshataret e së cilës kanë problem se si ta kalojnë sa më këndshëm kohën e lirë e si të vishen sa më bukur. Ndërsa ajo ka veshur uniformën ushtarake.

Kush më shumë se nëna brengoset për fëmijën? Por këto nëna që po u rrinë afër djemve të tyre sot, kanë vënë atdheun mbi gjithçka, ndaj po i përcjellin bijtë e tyre për t’i sjellë atij lirinë e pritur prej shekujsh. Aishe Shala, nipi i së cilës Isa Kodra ka veshur sot uni- formën e UÇK-së, duke folur në emër të nënave shqiptare të Amerikës shpreh krenarinë dhe lumturinë që ndjejnë ato duke lindur e rritur djem e vajza trime e patriote, të gatshme për të mos kursyer sa jetën e tyre.

Bashkatdhetarët tanë në Amerikë organizuan shumë demonstrata në New York e Washington ku ata kërkonin çlirimin e Kosovës, armatimin e UÇK-së dhe falënderonin Amerikën me parullat: “Zoti e bekoftë Amerikën”.

Shqiptarët e Amerikës që nga dalja në skenë e UÇK-së u solidarizuan me të. Në demonstratat e tyre ata mbanin simbolin e UÇK-së dhe kërkonin që ajo të ndihmohej në të gjitha mënyrat.

Ushtarët nisen. Bëjnë gati plaçkat. Ata po lënë paqen dhe shkojnë drejt luftës pikërisht për të fituar paqen. Ndarje, lot, krenari, të gjitha ndjenjat janë bashkuar këtu.

-Mirupafshim bir! – thërret nëna përmes lotve.

– Mirupafshim nënë!- ia kthen i biri duke u përpjekur të mbajë lotët.