KUR DËNOHESHIN BASHKË, KËSHTJELLA DHE SHKRIMTARI

– Në nderim të Dom Ndoc Nikajt në ditën e shuarjes –

Nga Visar Zhiti

Dom Ndoc Nikaj

Kur Kështjellën e Shkodrës, mbas Luftës II Botërore fitimtarët e kishin shndërruar në burg, në njërën nga qelitë e saj mbanin të mbyllur një Shkrimtar plak.

Të dy të dënuar, edhe kështjella, edhe Shkrimtari. Kështjella e Rozafatit, me legjendën më të bukur në botë për nënën, me muret e lavdishme të historisë së lashtë Kombit, e luftrave për liri dhe e qendresës skënderbejane, në vend që ta linin siç ishte, vend pelegrinazhi, tempull dhe muze, e shndërruan në burg të ri.

Të këqinjtë janë dhe banalë, do të thoshim, nëse do të perifrazonin Hanna Arendt. Por dhe kriminelë…

Në njërin nga bodrumet e Këshjellës mbanin të mbyllur dhe të lidhur me pranga Shkrimtarin plak, Dom Ndoc Nikaj. E arrestuan shumë shpejt, në 1946, në 9 shtator, në moshën 82-vjeçare, me akuzën se donte të përmbyste me dhunë pushtetin e ri, të porsavendosur të komunistëve.

Po ai ishte dhe prift katolik, që në doktrin:e janë kundër dhunës…

ATI I ROMANIT SHQIPTAR  NË DY PERANDORI                              

Dom Ndoc Nikaj është quajtur dhe babai i romanit shqip, pra, romancieri ynë i parë.

E nisi të shkruarit në robëri, kur vendi ishte nën perandorinë otomane dhe gjuha shqipe e ndaluar, ndërsa rrahjet e zemrës, të fundit, do t’i ndalte në burg, (në 16 janar 1951), kur atdheu i tij, i çliruar, bënte pjesë në perandorinë komuniste.

Fat i keq e i pabesueshëm i shkrimtarit në dy perandori, por dhe i Kështjellës së lashtë, por i vendin nga njerëzit e rinj. S’është punë fati, siç u pëlqen dhe të thuhet, jo. Ishin sundimtarët mizorë dhe ushtria e tyre, të marrosur pas idealit komunist, intelektualët e tyre, shkrimtarët dhe poetët e rinj të regjimit,

*  *  *

Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 15 qershor 1865. Sipas dokumentit të pagëzimit datëlindja e tij është 9 marsi 1864. Këmbëngulje për të qënë i lindur dy herë, si një domosdoshmëri për vendin, më pëlqen të them…  

E ëma e tij, Age Gjon Luli, vinte nga fis i njohur, kurse babai, Gjoka, ishte luftëtar fillimisht. Madje kishte qenë dhe në betejën ruso-turke në Sebastopol në vitin 1877 dhe me disa shokë të tij ishte renditur nga ana e turqve krahas me ushtarë francezë.

Por mjeshtëria e tij ishte ngjyrosja e shajakëve dhe e penjëve e ndoshta prej kësaj djali Ndoc trashëgoi dëshirën për ta parë më me ngjyra jetën, për t’ia dhënë atje ku mungonte, për të parë penjët, si zgjateshin, si lidheshin, por dhe si mund të kokolepseshin, si shtigjet e jetës.     Ndoci i vogël mësimet fillestare i mori tek françeskanët, kurse 13 vjeçar kaloi tek jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër.

Meshtar u bë në vitin 1888. Pas shugurimit si ndihmes-famullitar shërbeu në Shkodër dhe pas dy vjetësh në famullitë në Dajç, Bregu i Bunës, Pemtar, Sheldie dhe Shkrel. Ndërkaq krijohet “Lidhja e mshehtë” që i vuri si detyrë vetes të përhapte idetë kombëtare, atë shkëndijëz për pavarsinë e Shqipërisë dhe të bënte përgatitjet për kryengritjet e ardhshme.  

Dom Ndoc Nikaj ishte anëtar i kësaj Lidhjeje, bashkë-punëtor i çetave kundër pushtuesit turk. Por ai e kuptoi se duheshin jo vetëm armët, por dhe libra, ata më shumë, e jo vetëm fetare, por të dijes në tërësi, historikë, letrarë, shkencorë dhe vendosi që të merrej me to, me brengën dhe guximin duke mos harruar që vetëm gjuha shqipe ishte e ndaluar në të gjithë popujt e perandorisë osmane.

Libri, sipas tij, na jep dritë, do të ngjallë dëshirën të shohësh më mirë e më shumë, të lexosh në gjuhën e moçme shqipe. Dhe bashkëpunon me një koleg tjetër të Jugut, Faik Konicën…

Ishte 24 vjeç kur ndjeu më me forcë shkrimtarin brenda vetes. Në 1898 boton librin e parë, “Vakinat e Kishës”, u shtyp në Romë, në të famshmen “Propagaganda Fide”.                   

 

ROMANI I PARË SHQIP

1899 – teksa shekulli XIX po mbaronte, shkrimtari Dom Ndoc Nikaj mbaron romanin e tij të parë, Marcja”. Në këtë ishte dhe një nga themeluesit e shoqërisë “Bashkimi”, por u veçua që të shkruante. Çfarë e thirri, ç’e magjepsi? Ç’ëgjëll a shenjt? Romani “Marcja” shenjon dhe romanin e parë në prozën shqipe.

Lajmi dhe vepra bashkë u përhapën nëpër familjet e Shkodrës, nga rruga në rrugë, kumbonte kalldrëmve, trokiste portave. E ç’ka kallxon ky libër? Ç’është ky roman?…

Një epikë mistike, do të thosha tani me guhën e mësuesit, sepse kam qenë dhe mësues fshati. Në roman mahnitshëm gëshetohen fantastikja e baladave ballkanike dhe tonave me dramën historike, por dhe kapëcimet nga bota reale në atë hyjnore, po janë dhe varrosjet për së gjalli, ka personazhe biblike, Abrahami, Sara, Davidi, por citohet dhe Papa shqiptar, Klementi XI e heronjtë historikë, Neroni, etj. Një gjuhë e gjallë, duke mos i shmangur dhe turqizmat e përditshme. Marcja shndërrohet në emblemë të sakrificës, e praruar me himnet e shpirtit të Domit.

Lexohet me endje edhe sot, gjendet në raftet e ndonjë biblioteke të vjetër shkodrane.                              

Në vitin e dytë të shekullit të ri, të XX-it, boton në Bruksel librin, mbase më të rëndësishmin, “Historija e Shqypnis”, 414 faqe, ku përshkruhen me pathos në mënyrë barletiane luftimet e shqiptarëve kundër otomanëve, me prijës Gjergj Kastrioti-Skënderbeun dhe rënien e Shkodres në vitin 1478.                             Po këtë vit boton në Londër “Historia e Turkis”, përkthim nga italishtja, për të cilin u përndoq nga qeverija turke, vetëm pse guxoi ta shkruante në shqip atë histori… 

Në kohën kur nëpër Ballkan, por dhe në Europë shpërndaheshin armë, pushkë të modeleve më të reja, bomba, topa, tregtoheshin, hapur, fshehurazi, mpreheshin bajonetat, Dom Ndoc Nikaj solli në Shkodër në 1909 një shtypshkronjë për radhonj dhe libra në gjuhën amtare. Si i mbartën, me karroca, karvanë kuajsh? Si i kaluan kufijtë? Me ëndërr dhe shpirt…      

Më 1 janar 1910 nxjerr gazetën e përjavshme Koha, ndër të parat politike në Shqipëri. Ia ndryshoi emrin në numrin e dytë, Bashkimi, kumt më i rëndësishëm ky, e donte koha. Në katër faqet e saj dilnin artikuj shqip për çështjet shoqërore, kulturën, letërsinë dhe ekonominë dhe vazhdoi deri afër vitit 1912.

PAVARËSIA E ËNDËRRUAR

U shpall. Pas gati 5 shekujsh… U desh durim i rëndë, qëndresë, kryengritje që mbyteshin me gjak, u desh të vinte Rilindja me poezinë profetike naimjane, përpjekje pafund, diplomaci dhe me kodet e Kanunit të Lek Dukagjinit, por dhe me aleatë popujsh të tjere të kulturuar…

1913 – një vit më vonë Ndoc Nikaj i dhuron atdheut romanin “Shkodra e rrethueme” në formë ditari, që në historinë e mëpastajme të letërsisë shqipe do të trajtohej si romani i parë shqiptar dhe jo ai i mëparshmi, i një shekulli më përtej. Pse? Nga që ai i mëparshmi kishte përmbajtje fetare dhe ky tani patriotike? Ngaqë do të vendoste pushteti i ri me studiuesit e saj. Ata do të përzgjidhnin temën që do të duhej si e parë? Po autorin pse e harronin vazhdimisht, apo nga që e burgosën me të parët?…

    Në pranverën e vitit 1913 Ndoc Nikaj nxori dhe një gazetë tjetër, Besa Shqyptare, dy deri katër herë në javë. Aty botohej edhe ndonjë artikull gjermanisht e italisht. Nga 29 korriku 1915 po kjo gazetë mori emrin Zani i Shkodrës

“Firma Nikaj” krahas librave të pronarit, gazetave, po nxirrte libra këndimi në gjuhën shqipe dhe revistën periodike “Hylli i Dritës” dhe dhjetra vepra të tjera. Shtypshkronja nuk nxirrte fitime të mëdha fare, përkundrazi, por biznesmeni Nikaj merrej dhe me veprimtari të tjera të leverdishme si ato të tregtisë së lëndës drusore, por dhe… të armëve. Ka rrethana që kërkohet të bësh më pak priftin dhe më shumë luftëtarin… me armë? Po, po… A e dinte Domi ç’bëhej?     

Dom Ndoc Nikaj punonte me zell për ta njohur Europa çështjen e lirisë të tokave shqiptare. Dhe mbante lidhje të rregullta me të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara nëpër qendra të Europës.

Lufta e Parë Botërore:   

Në këtë kohë Ndoc Nikaj shkruante dhe botonte libra shkollorë, libra fetarë për kishat, letërsi dhe shtoi bashkëpunimin dhe me revistën “Albania” të Faik Konicës

Në vitin 1921 u arrestua, s’dihej pse, enigmë dhe e mbyllën dyzetegjashtë ditë në burg në Tiranë. Dhe e liruan menjëherë.

Pas 1924 nuk po shkruante më dhe nuk po merrej me veprimtari politike.

Lufta e Dytë Botërore:  Heshtje, shumë heshtje në jetën e tij deri në mbarim të Luftës dhe nis paqja dhe pushkatimet dhe burgjet, tani jo nga i huaji pushtues, por nga yti fitimtar, i pushtuar  nga djalli i kuq. Klerit katolik në Shqipërinë e Veriut po përndiqej ashpër, gjë që do të shkonte keq e mos më keq. 1946 – Dom Ndoc Nikaj, 82 vjeç, patriark tashmë i prozës shqipe…  e arrestojnë ata të Sigurimit të ri të shtetit.        Akuza: ka dashur përmbysjen e qeverisë me dhunë… E mbyllin në kështjellën-burg të Shkodrës së tij. Të dënuar bashkë, Kështjella dhe Shkrimtari.

Guxuan dhe e dënuan Plakun-perëndi! Vunë prangat mbi ato duar apostulli që duhej t’i puthnin. Ato duar që shkruajtën shqip kur nuk lejohej, mbi 400 shkrime, 30 vepra, shtatë romane ende të pabotuara, pararendësi i Mihal Gramenos, Foqion Postolit, Mit’hat Frashërit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit… “Balzaku ynë” e kanë quajtur.  

Mos donin të dënonin ashtu me të së paku dhe ata 500 vjet mundime të klerit katolik shqiptar? Po me kështjellën-burg mos po shprishnin lashtësinë arbërore dhe ilirike? Urdhërat e kujt djalli tjetër po zbatonin?

Ai, Domi, i bardhë në qeli, fliste në heshtje me qiellin, që mundohej të fuste kryet në gropën e bodrumit të lagësht, në frëngjitë e qelisë. Këmbët e zbathura preknin tokën, donte kumtet e fshehta të saj, e kishte menduar varrin, gjithnjë e më shpesh po e dëshironte, por ky dënim nga bijtë e tij… në kështjellën ku ishte dhe një kishë, e bërë xhami… dhe tani burg… Përse? Ku është populli?… Dhe ai, dhe populli, edhe Kështjella ishin mësuar me durimin… Duroi dhe 1 vit, 2, 3…  5 vjet… duhej ikur… të qetësohej… në jetën tjetër…

Shekulli kaloi mesin e vet ndërsa ai kaloi në botën e amëshimit. Një ditë para 17 janarit, kur mbylli sytë Skënderbeu. Ai vdiste në çdo 17 janar… Duhet vdekur para tij… 16 janar 1951…

Një vit më pas fillojnë grindje të tjera dhe prapaskena të shkrimtarëve të Realizmit Socialist, pengonin dhe shpifnin për njëri tjetrin se cili roman do të mund të botohej e cili jo, i këtij apo i atij, e cili kishte qenë partizan nga ata, se do të shenjohej romani i parë i tyre. Me ta gjithçka duhet të fillonte nga e para.

ZEMËRIM ME TË DREJTË:

Po ku janë rrugët dhe sheshet me statujat e Ndoc Nikajt? Qelia ku e mbyllën përse nuk është muzé e shtëpia ku shkruante, vend pelegrinazhi?  Ç’është ky harrim? Dhe zyrtar. Kjo mosqasje në ikonën e tij supreme? Ngaqë një atdhe ka dënuar atin e romanit të vet? Kompleksi edipian i atvrasjes, më mirë të shmanget tani mëkati i kryer? Po ky s’është ekzorcizëm, çlirim i brendshëm nga djalli. Është harrim kriminal, frika se ai mund të rikthehet ndryshe… dhe Realizmi Socialist i ka sheshuar gjerat, ka vendosur dhe hierarkinë dhe vazhdojnë dhe tani shkrimtarët e saj, të rrezikuar nga bashkëpunimi i tyre me të keqen, poetët që i kënduan djallit dhe përbuzën Krishtin, kritikët, nga që s’u bënë dot as shkrimtarë e as poetë, teorizojnë, terrorizojnë në fakt, aq sa mundin, tani që s’mundin, ndajnë gradat e tyre të mbetura e titujt, i madh, postmodern, që ka prirë… apo që ka brirë(?)… vendosin se cilët do të harrohen, se në burg kanë qenë dhe kush do të kujtohen, se kanë merita, sidomos jashtë letrare, madje  dhe në mbushjen e burgjeve…

A nuk po e rrënojnë sërish kështjellën e hershme të letërsisë shqipe, ja, ashtu si jeniçerët që sulmonin me topuzë në dorë, me zjarr dhe squfur dhe me shkallë u ngjiteshin bedenave? Dhe ata ashtu me urdhër sulmuan dhe i zunë vendet dhe tani kanë qen të mëdhenj roje që të kafoshjnë po t’u qasesh? Për fat letërsia nuk është fushë-beteje e tillë…

Po kush nga ata foli sot për Atin e romanit tonë? Apo ka qenë në burg nga Partia? “S’është i yni!”.

Ata Ndoc Nikajn e lanë dhe pa varr, po edhe romanet e tij ashtu janë, pa varr, pra nuk vdesin, se janë në zanafillë letërsi shqipe. Do rrojnë bashkë me gjuhën dhe me atdheun e tyre. Amen!

Antologjia e autorit Visar Zhiti ku shkruhet edhe për shkrimtarin Dom Ndoc Nikaj