Nga Ruben Avxhiu
Republika franceze shihte te Amerika pararendësen e saj ideologjike. Në një botë monarkiste, këto dy kështjella republikanizmi ishin aleate të natyrshme.
Faktori tjetër ishte padyshim armiqësia e përbashkët me Anglinë, që ishte qysh në atë kohë mbrojtësja më e madhe e rendit aktual botëror. Franca ishte armikja e rivalja e saj e natyrshme. SHBA përbëhej nga 13 ish-kolonitë e saj.
Marrëdhëniet mes të treja ishin gjithësesi të ndërlikuara. Në SHBA, njëra nga dy partitë kryesore ishte më e afërt me anglezët, kurse tjetra më e afërt me Francën (Thomas Jefferson drejtonte të dytën).
Franca vetë do të shkëputej gjithashtu në planin politik. Vetë Napoleoni nuk ndoqi shembullin e Presidentit George Washington, që refuzoi të merrte më shumë pushtet sesa lejonte Kushtetuta dhe në fund të dy mandateve dha dorëheqjen e parevokueshme, megjithëse po të dëshironte do të rizgjidhej nga populli përjetësisht.
Napoleoni, nga ana tjetër, e prishi republikën duke shpallur veten Perandor. Ndonëse vazhdoi luftën e tij kundër rendit monarkist e feudal të Europës, republikanizmit francez do t’i duhej një brez tjetër për të rigjetur veten.
Edhe republikanizmi amerikan, me kalimin e dy shekujve, dalëngadalë rrëshqiti drejt demokracisë liberale, duke zgjetuar të drejtën e votës dhe dobësuar kufizimet e parashikuara nga të ashtuquajturit “baballarët e Amerikës”.