Më shumë se katër mijë shqiptarë, të të gjitha trevave dhe besimeve, u mblodhën në 2 nëntor 1997, për një meshë historike të paharruar në gjuhën shqipe kushtuar shenjtores shqiptare
Nga Ruben Avxhiu
Në 5 shtator 1997, në Kalkuta të Indisë, ndërroi jetë Nënë Tereza, padyshim figura më e shquar ndërkombëtare, me kombësi shqiptare, e kohës sonë.
Dy ditë më vonë, të dielën në 7 shtator, në Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, një meshë e tërë iu kushtua jetës dhe shpirtit të saj.
Pak kënde të botës shqiptare kanë qenë aq të lidhura më Nënë Terezën sesa shqiptaro-amerikanët e New York-ut, e në veçanti katolikët.
Mundësitë e Nënë Terezës për të vizituar atdheun e lindjes ishin të cunguara e të ndërlikuara. Por, këtu në botën e lirë, ajo ishte takuar shpesh me vëllezërit dhe motrat e një gjuhe. Një nga fotografitë më të bukura të këtyre vizitave mbetet një procesion në rrugët e New York-ut, në vitin 1976, ku duket Nënë Tereza, Mons Zef Oroshi themeluesi i Kishës Katolike të shqiptarëve të Amerikës si dhe kleriku ynë i shquar ortodoks, Arthur Liolin. Në mos gabohem, vizita e saj e parë mes katolikëve shqiptaro-amerikanë ishte në 1972, shumë kohë përpara se të merrte Çmimin Nobel e të bëhej e famshme në të gjithë botën.
Mund të merren me mend emocionet e asaj meshe, në një kohë kur shqiptarët ende po përmblidhnin kujtimet e mendimet e tyre për vendin në historinë e kombit të kësaj murgeshe trupvogël që kishte rrëmbyer zemrat dhe mendjet në mbarë botën. Kësaj here nuk ishin vetëm besimtarët e përhershëm katolikë në bangat e kishës, por edhe udhëheqës e figura të komunitetit që kishin shkuar për të marrë pjesë në këtë meshë.
Në fund, të meshës, famullitari Dom Peter Popaj u takua me drejtues të komunitetit të kishës e me aktivistë të njohur shqiptaro-amerikanë që kishin ardhur për meshën. Të gjithë dëshironin të bënin diçka më shumë për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e Nënë Terezës. Mesha që sapo kishte mbaruar u kishte lënë një përshtypje të veçantë, kështu që kur Dom Popaj i ftoi që të jepnin propozime, ideja që fitoi shumë shpejt mbështetje ishte një meshë e tillë por e mbajtur në një kontekst shumë më të gjerë. Propozimi fitues ishte për ta mbajtur në kishën më të famshme njujorkeze, në Katedralen Shën Patrikut (St Patrick Cathedral) në Avenjunë e Pestë.
Kjo nuk ishte e garantuar sepse kalendari i katedrales është shpesh i mbingarkuar. Për fat të mirë, pasi shqyrtoi kërkesën e Dom Peter Popajt, Arqipeshkvi i New York-ut, John Cardinal O’Connor u përgjigj pozitivisht dhe data e 2 nëntorit 1997, në orën 2 të mbasdites, u caktua për mbajtjen e meshës.
Që këtu filloi puna e ethshme për përgatitjen e meshës. Tonin Mirakaj, një figurë kryesore e komunitetit katolik, Kryetar i Këshillit të “Zojës së Shkodrës” udhëhoqi në 17 tetor një mbledhje të komunitetit shqiptar, në mjediset e Kishës shqiptare që në atë kohë ishte ende në Park Avenue, në Bronx, New York.
Aty veç të tjerash u vendos që liturgjia, duke përfshirë të gjitha leximet gjatë meshës të bëheshin në gjuhën shqipe, kurse predikimi në anglisht.
Është për t’u shënuar këto roli kryesor i gazetarëve të gazetës “Illyria” në këto përgatitje. Isuf Hajrizi mori përsipër deklaratën për shtyp që iu dërgua medias amerikane. Sinan Kamberaj shkroi biografinë e shkurtër të Nënë Terezës që iu shpërnda pjesëmarrësve në meshë. Këtë tekst e përktheu në anglisht Isuf Hajrizi, i cili bashkë me Naim Dedushajn e Radios së LDK-së dhe kryetarin Tonin Mirakaj përgatitën edhe ftesat për personalitetet e njohura të politikës dhe jetë shoqërore e kulturore që u ftuan të marrin pjesë.
Në mbledhje nga “Illyria” merrte pjesë edhe i ndjeri Xhafer Krasniqi.
Marjan Cubi dhe Naim Dedushaj siguruan flamujt e vegjël shqiptarë dhe amerikanë që do të mbushnin katedralen e famshme atë ditë.
Dom Popaj u takua me drejtues të Katedrales për t’u siguruar lidhur me flamujt. Ishte e rëndësishme për shqiptarët që flamuri i Shqipërisë të ishte i dukshëm për t’ia dëshmuar edhe një herë botës së Nënë Tereza ishte me kombësi shqiptare.
Në mbledhjen e parë në kishë, mori pjesë rastësisht edhe regjizori Ekrem Kryeziu nga Kosova. Angazhimi i shqiptarëve i la shumë mbresa dhe shprehu keqardhjen që nuk do të qendronte aq gjatë në SHBA sa të shihte me sytë e tij meshën e madhe.
“Bija e Shqipërisë, qytetare e Indisë, nënë e gjithë botës”
Dita e 2 nëntorit 1997, do të mbetet përjetë në kujtesën e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Katedralja më e famshme dhe më e bukur në New York City, që pret e përcjell miliona vizitorë ishte mbushur me flamuj kuq e zi dhe amerikanë, me lule zbukuruese të zgjedhura me shije, mbi katër mijë shqiptarë, shumë prej të cilëve të veshur me kostume kombëtare, kishin zënë të gjitha ulëset e mundshme e qindra njerëz qendronin në këmbë.
Një pikturë e madhe e Nënë Terezës, me shënimin në anglisht, “Nënë Tereza, bija e Shqipërisë, qytetare e Indisë, nënë e gjithë botës”, shquhej në altarin e lartë sapo hyje. Përfaqësues nga të gjitha nivelet e pushtetit politik, figura të fesë dhe të kulturës, miq të shqiptarëve, ndoqën me respekt dhe kuriozitet një meshë të mbajtur kryesisht në gjuhën shqipe me përjashtim të prediktimeve fetare.
Ishin të gjitha trojet aty në sallë. Nga Lugina e Preshevës në Çamëri. Bashkatdhetarë të të gjitha besimeve ishin mbledhur për të nderuar shenjtoren e madhe shqiptare, si një komb i vetëm.
Kori i kishës shqiptare, i drejtuar nga Fran Shala, ishte i mrekullueshëm. Kurse “Ave Maria” kumboi në mënyrë hyjnore nga zëri i tenorit të njohur shqiptar Bashkim Paçuku që kishte ardhur posaçërisht për këtë ngjarje.
Ndodhej Presidenti i Bronx-it, Fernando Ferrer, Catherine Giuliani e cila përfaqësoi kryebashkiakun Rudy Giuliani, përfaqësues të Misionit të Shqipërisë në OKB si dhe dhe një përfaqësuese e Misionit të Indisë. Nga Kosova ndodhej Dr. Alush Gashi, kurse nga komuniteti mysliman në Shqipëri, Qeramudin Turdiu.
Kryebashkiaku Giuliani nuk mundi të vinte por dërgoi një mesazh ku lavdëronte nismën e komunitetit shqiptar për të nderuar humanitaren nobeliste. “Nënë Tereza ishte një grua e jashtëzakonshme që punoi gjithë jetën për t’u dhënë të tjerëve dashuri, gëzim dhe mbështetje shpirtërore”, shkruante në mesazhin e tij Rudy Giuliani. “Në emër të qyetarëve të New York City-t, ju përgëzoj veprimtarët në komunitetin shqiptaro-amerikan që për kontributin e madh që na kanë sjellë. Urimet e mia më të mira për këtë ditë të bukur”.
Shquheshin në sallë, kongresisti Eliot Engel, një nga miqtë më të njohur të shqiptarëve në Washington, Domenic Scaglione i Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve, ish-kongresisti Joe DioGuardi me (në atë kohë të fejuarën e tij, Shirley Cloyes) këshilltare e Ligës Qytetare etj.
Imam Isa Hoxha, udhëheqësi shpirtëror i Qendrave Islamike në New York dhe New Jersey dhe Bill Peters e Jim Liolin nga Kisha Ortodokse Shën Nikolas ishin mes miqve të nderuar. Vijonte një paradë personalitetesh të komunitetit. Mes tyre Dr. Sami Repishti si President i NAAC, Agim Karagjozi dhe Agim Rexha nga Vatra (ky i fundit kishte marrë pjesë në takimet organizatore), Rrustem Ibra nga LDK, Harry Bajraktari, në atë kohë ende botues i gazetës “Illyria” me të gjithë stafin e saj, Mark Shkreli nga Shoqata Qytetare Shqiptaro Amerikane, Dr. Fuad Myftija dhe Xhafer Elezi nga Legaliteti, mjeku i njohur Dr. Agim Leka, Dr. Gjon Buçaj nga Blloku Independent, Esad Rizai nga Fondacioni Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, Mustafë Demalija nga Liga e Prizrenit, si dhe shumë aktivistë të tjerë si Bruno Selimaj, Cafo Boga, Ramadan Gashi, Marjan Cubi, Ndrec Gjergji, Prenk dhe Pretash Curanaj, Njazi Tonuzi, Palokë Vulaj, Ismer Mjeku, Dashamir Marku, Simon e Sokol Vukejli e shumë të tjerë që mund të mungojnë në këtë listë por që kanë kontribuar në vite në jetën e komunitetit.
Një pjesëmarrëse e veçantë, Zonja Lina Popaj, nëna e Dom Pjetrit, që po shihte sytë e saj të birin që si kryecelebrues i meshës po nderonte nënën e gjithë botës.
Ishin po ashtu edhe prindërit e Marash Shkrelit diakonit të meshës.
Ndonëse ishte një meshë e ideuar dhe organizuar nga Kisha Katolike Zoja e Shkodrës, si organizatorë zyrtarë figuronin me të madhe edhe Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane si dhe Kisha Ortodokse St. Nicholas e mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan. Synimi ishte bashkimi kombëtar në një zë të vetëm pavarësisht nga ndarjet fetare.
Meshën e drejtoi Dom Peter Popaj, me ndihmën e At Andrew Nargaj dhe diakonët Marash Shkreli dhe Henry Valdkamp. Ishte një ditë që nuk do të harrohet.
Predikimet, fjalë që zunë vend
“Lutemi sot për një figurë që ka prekur jetën e të gjithë njerëzve, jo vetëm të shqiptarëve, nga Lindja në Perëndim, të myslimanëve dhe të krishterëve, budistëve dhe hebrejve. Ajo la tek njerëzit dashurinë e Zotit dhe të Krishtit në tokë”, ishin disa nga fjalët e Dom Pjetër Popaj të zgjedhura nga gazeta “Illyria” nga ajo meshë.
Famullitari i ri i Kishës Zoja e Shkodrës kishte një histori personale mbresëlënëse për të ndarë me të panishmit në atë meshë. Po në atë katedrale, më shumë se 20 vjet më parë, si një prift i ri i saposhuguruar u njoh me Nënë Terezën, e cila papritur, u ul në gjunjë përpara tij dhe e luti që ta bekonte në emër të Zotit. Ishte një moment emocional për të, përpara kësaj gruaje të jashtëzakonshme që në mënyrë aq të natyrshme përulej përballë Zotit. “Isha i tronditur se e dija që po bekoja një shenjtore”, tregoi Dom Popaj përballë sallës që nuk pipëtinte. Ai e përshkroi lutjen që dëgjoi nga Nënë Tereza atë ditë, po në kët katedrale si “lutjen më intime ndaj Zotit që kisha dëgjuar ndonjëherë”.
Historia e krishtërimit në Shqipëri është edhe ajo një histori ringjalljeje. Kleri katolik kishte vuajtur në mënyrë të veçantë nga diktatura komuniste që në 1967 ndërmori veprimin e paprecedentë të ndalimit të plotë të besimit fetar dhe të mbylljes të të gjitha faltoreve. Nënë Terezës, në ato vite iu refuzua të shihte për herë të fundit, nënën dhe njerëzit e familjes që jetonin në Shqipëri. Vetëm në 1989, u lejua më në fund, në një vizitë të programuar dhe mbikqyrur krejtësisht nga regjimi komunist. Një vit më vonë ai regjim ishte rrëzuar. Vizita tjetër e shenjtoresh shqiptare ishte në liri.
“Kur Nënë Tereza hyri në Shqipëri, Zoti hyri në Shqipëri”, tha gjatë predikimit të tij, Dom Popaj.
Ndryshe nga simbolikat e harmonisë ndërfetare që janë bërë të kohës tani nëpër botë, për shkak të thellimit të konflikteve fetare, rritjes së radikalizimit, retorikës fetare në politikë etj, shqiptarët ishin pararendës në këtë drejtim. Kjo meshë ishte një tjetër shembull.
Fjala e një imami në katedralen e famshme njujorkeze ishte dëshmi e kësaj. Imam Isa Hoxha një nga figurat kryesore fetare e udhëheqës komuniteti iu lut Zotit që kontributi dhe trashëgimia e Nënë Terezës të mos harrohej kurrë. Ai vlerësoi lart shembullin e saj. Vetë murgesha katolike që themeloi një urdhër të ri të përhapur në mbarë botën, asnjëherë nuk diskriminoi mes njerëzve në nevojë në bazë të besimit fetar. Në Kalkutë, shumica e atyre që ndihmoheshin prej saj ishin hindu ose myslimanë. Askush nuk u ftua të ndryshojë fe për të marrë ndihmë. Respekti për Nënë Terezën ishte respekt i fituar me vepra.
Ajo që i bashkonte shqiptarët në këtë ditë ishte figura e saj, por edhe bashkimi në gjak e gjuhë. Ishin domethënëse fjalët e Imam Isa Hoxhës, se “shqiptarët vazhdojnë të vuajnë në regjime diktatoriale, pikërisht në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Ne nuk duam t’ua kthejmë shpinën popullit shqiptar. Duhet të sigurojmë integritetin e atdheut të Nënë Terezës”.
Ngjarja u përshkrua gjerësisht nga gazeta “Illyria”, nga “Jeta Katolike”, që ishte në vitin e dytë të botimit, nga radiot që vepronin në atë kohë në komunitetin shqiptar si Radioja e LDK-së, Radio Malësia, si dhe nga Radio Vatikani. Të gjitha reportazhet në radio u bazuan në tekste të shkruara me dorë nga Tonin Mirakaj që i ruan edhe sot e kësaj dite. Ky shkrim nuk do të ishte bërë i mundur pa materialet e ruajtura prej tij. Punën për organizimin e meshës e kanë përshkruar bashkë me Mark Shkrelin me hollësi në shkrimin e botuar në revistën “Jeta Katolike”.
Kombi shqiptar në udhëkryq
2 nëntori qëlloi një ditë me shi, po kjo nuk e zbuti vullnetin e shqiptaro-amerikanëve për të mbushur Katedralen e Shën Patrikut, duke e kthyer meshën në një ngjarje historike për komunitetin.
Mesha, ashtu si edhe ikja e Nënë Terezës, vinte edhe në një kohë të pazakontë për shqiptarët, me tragjedi të lëna pas,e te tjera në horizont. Mbarë kombi ishte në udhëkryq. Në Shqipëri, rënia e skemave piramidale e kishte çuar vendin në buzë të greminës së luftës civile. Shteti ishte rrënuar dhe normalizimi po kthehej me ngadalësi. Trupat ndërkombëtare kishin hyrë në vend për të siguruar shpërndarjen e bukës. Një karikaturë e njohur e kohës tregonte dy kokat e shqiponjës së flamurit shqiptar duke ngrënë njëra-tjetrën.
Në Kosovë, shpresa për një zgjidhje paqësore po humbte çdo ditë. Një grupim i ri me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës po dilte në skenë, e vetëm pak javë më pas do të bënte shfaqjen e parë publike në një varrim në 28 nëntor 1997. Në Prishtinë, protestat studentore të udhëhequra nga një djalë i ri me emrin Albin Kurti ishin shtypur me dhunë.
Shembulli dhe thirrja e Nënë Terezës për dashuri e dhembshuri për njëri tjetrin ishte në kontrast të thellë me mizorinë e cinizmin e kohës. Ishte një kujtesë për të gjithë shqiptarët se në këto kohë sfiduese në vend të urrejtjes duhej t’i qendronim pranë njëri-tjetrit. Ashtu si ndodhi jo shumë kohë më vonë, kur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u strehuan me bujari në mbarë Shqipërinë, deri në fund të luftës. Për t’i kujtuat botës dhe vetes shqiptarët janë kombi i Nënë Terezës, i murgeshës së vogël që bëri vepra të mëdha përkundër gjasave e kushteve të jetës. Vetëm me një ndjenjë të fortë morale mund të përballoheshin sfidat e mëdha të kohës.
Kam lexuar diku se fati i shqiptarëve ndryshoi shumë për mirë kur Nënë Tereza u ngjit në qiell, sepse shenjtëresha i ruan nga lart, apo se u ngjit me një lutje drejtuar Zotit për ne. Imagjinata dhe besimi, pavarësisht se ku bazohen, kanë qenë gjithmonë forca të jashtëzakonshme dinamike që i kanë çuar popujt përpara. Pa dyshim që krenaria e shqiptaro-amerikanëve për lidhjen me Nënë Terezën, dëshira e fortë për t’ia treguar New York-ut, Amerikës e mbarë botës se kjo trashëgimi e madhe e humanizmit kishte nisur nga rrënjë shqiptare, bëri që mijëra vetë të udhëtonin edhe nga rrethina e shtete të tjera mes shiut atë të dielë pasdite për të qenë aty. Kjo nënë e mbarë botës, ishte vajzë e kombit shqiptar.
Kujtime që nuk duhen harruar kurrë
Pak kush ishte aq krenar për suksesin e kësaj meshe sa Tonin Mirakaj. “Është hera e parë në histori që ndodh kjo”, tha ai. Në ditët në vijim me modesti, kujdes dhe vëmendje do të falenderonte me shkrim e me gojë të gjithë ata që ndihmuan në këtë organizim të madh. Një letër ia dërgoi edhe gazetës “Illyria”.
Shqiptarët e komunitetit duhet t’i ruajnë kujtimet e këtyre aktiviteteve. Duhet t’i ndajnë me miqtë dhe publikun në Facebook. Duhet t’i përdorin për të frymëzuar e nxitur veprimtari e nisma të ngjashme.
“Katedralja e Shën Patrikut për një ditë ishte e Nënë Terezës, ishte e shqiptarëve”, shkroi për atë ditë Tonin Mirakaj. “Për shumë kohë, Katedralja do t’i kujtojë shqiptarët, ndërsa shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë as atë e as këtë Ditë”.
Në fund po e mbyll me përshkrimin që i bëri ngjarjes Prof Sami Repishti, duke folur për “Zërin e Amerikës”, që e intervistoi brenda Katedrales, mes shqiptarëve të mbledhur: “Kjo pamje më ka mbushur me optimizëm për të ardhmen e atdheut shqiptar. Sot, më shumë se asnjëherë më parë, jam i bindur se momenti i tanishëm i çmendurisë së përgjithshme në Shqipërinë e martirizuar është vetëm një ditë e vetme, një ëndërr e keqe, në historinë tonë tremijëvjeçare. Këtu, në Katedralen e Shën Patrikut u duk fytyra pak e njohur e popullit tonë të vjetër e fisnik, u duk qartë besimi ynë në vetvete, besnikëria jonë ndaj traditave kombëtare, dashuria jonë e madhe për gjuhën tonë amtare, tolerance jonë fetare (cili popull fton imamin mysliman të flasë nga altari i Katedrales?) dhe vendosmëria jonë për të qenë pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep emrin shqiptar”.