Kur nuk paraqitesh në seancën gjyqësore dhe gjykatësi i emigracionit jep urdhër deportimi

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Kushëriri im u kap në kufirin e SHBA-së me Meksikën dhe më pas u lirua. Atij i dhanë disa dokumenta për të dalë në gjyq në New York, por në to nuk ishte shkruar data e seancës gjyqësore. Nuk na erdhi asgjë në postë lidhur me këtë çështje gjyqësore. Kohët e fundit kontrollova në kompjuter dhe zbulova se dy javë më parë ndaj tij ishte lëshuar një urdhër deportimi. A mund të bëjmë ndonjë gjë për ta shpëtuar kushëririn tim? Ai dëshiron të aplikojë për strehim politik.

BC

Bronx, NY   

Nëse nuk jeni paraqitur në seancën gjyqësore, gjykatësi mund ta ketë mbyllur çështjen tuaj dhe të ketë dhënë urdhër që të deportoheni nga Shtetet e Bashkuara për mosparaqitje në gjyq. Diçka e tillë njihet si “In absentia order of removal” (urdhër deportimi në mungesë). Nëse dëshironi që gjykatësi të rihapë çështjen tuaj për të parë nëse i plotësoni kushtet për ndonjë përfitim nga emigracioni, si strehim politik ose mosdëbim nga vendi (cancellation of removal, ka të ngjarë që të jeni në kohë.

Fillimisht, telefononi në numrin e vënë në dispozicion nga Gjykata e Emigracionit 1-800-898-7180 (Immigration Court Hotline) për të marrë vesh nëse Gjykatësi ka dhënë ose jo urdhër që të dëboheni nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, mund të kërkoni informacion për çështjen tuaj në faqen e internetit https://acis.eoir.justice.gov/en/

Nëse gjykatësi ka urdhëruar që të largoheni, paraqisni pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) dhe Gjykatës ku është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me çështjen tuaj, një mocion me shkrim ku kërkoni rihapjen e çështjes “Motion to Reopen an In Absentia Order”. Në mocion duhet të jepni informacionin si më poshtë: Emrin, adresën dhe numrin e telefonit; datën dhe orën e seancës së fundit gjyqësore lidhur me çështjen tuaj; si dhe një shpjegim të detajuar lidhur me arsyen pse nuk jeni paraqitur në atë seancë gjyqësore.

Duhet të tregoni që nuk u paraqitët në seancën gjyqësore sepse: 

  • Nuk morët njoftimin për këtë seancë.
  • Ishit në paraburgim osë në burg federal ose shtetëror; ose
  • Për “rrethana të jashtëzakonshme” që ishin jashtë kontrollit tuaj, si p.sh.: Ju vetë ose prindi apo fëmija juaj keni rënë viktimë e dhunës ose mizorisë ekstreme (d.m.th. dhunë në familje); Keni qenë sëmurë rëndë ose prindi ose fëmija juaj kanë qenë sëmurë rëndë ose kanë vdekur; Moti ka qenë i ashpër dhe ka bërë të pamundur udhëtimin për në gjykatë;
  • Ose për ndonjë arsye tjetër serioze që nuk varej nga ju të ngjashme me ato që përmendëm më lart.

Duhet të paraqisni dokumente dhe prova për të treguar pse e humbët seancën gjyqësore. Si prova mund të shërbejnë të dhënat e burgut, të dhënat mjekësore, raportet mbi motin, deklaratat e lëshuara nën betim ose dëshmi të tjera.

Lexuesi ynë duhet të paraqesë gjithashtu formularin e ndryshimit të adresës EOIR-33/IC (Change of Address/Contact Information Form); Një letër shoqëruese që përmban emrin, adresën dhe numrin tuaj “A”; Faturën e pagesës së tarifës së depozitimit të mocionit ose një kërkesë për përjashtim nga detyrimi i pagesës së tarifës, nëse ka vend për diçka të tillë.

Tarifat e depozitimit: 

Nuk nevojitet tarifë depozitimi nëse dëshironi të rihapni çështjen tuaj me qëllimin e vetëm për të aplikuar për strehim politik ose për arsye se nuk keni marrë njoftim lidhur me seancën gjyqësore ku gjyqtari urdhëroi largimin tuaj nga Shtetet e Bashkuara.

Kur duhet të paraqisni Mocionin: 

Mund të paraqisni mocionin tuaj në çdo kohë nëse (1) keni humbur seancën për shkak se nuk nuk keni marrë njoftimin përkatës për seancën dëgjimore ose (2) sepse keni qenë në paraburgim ose i/e burgosur në një burg federal ose shtetëror. Nëse e keni humbur atë seancë për ndonjë arsye tjetër, atëherë duhet të paraqisni kërkesën tuaj brenda 180 ditëve nga dita kur u mbajt seanca në fjalë.

Shënim: Gjatë periudhës që gjykatësi nuk ka marrë ende vendim lidhur me mocionin që keni paraqitur për të rihapur ose jo urdhrin e deportimit të lëshuar ndaj jush në mungesë, ju nuk mund të dëboheni nga Shtetet e Bashkuara.

I rekomandojmë kushëririt të lexuesit tonë të marrë një avokat emigracioni me përvojë në këtë fushë për të paraqitur mocionin për rihapjen e çështjes. Kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme. Pasojat e injorimit të një urdhri deportimi mund të jenë drastike.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]