Nga Ruben Avxhiu
Në vitin 1967, vajza e Josif Stalinit hyri në Ambasadën Amerikane dhe Nju Dehli të Indisë dhe i habiti diplomatët amerikanë kur u tha se po arratisej nga Bashkimi Sovjetik.
Kur mbërriti në New York, denoncoi komunizmin dhe trashëgiminë e babait të saj.
Një veprim që sigurisht nuk pritet nga fëmijët e Enver Hoxhës, jo atëhere po as edhe pas rënies së komunizmit.
Përpara disa vitesh, autori dhe gazetari i njohur amerikan Jay Nordlinger, më intervistoi për një libër që po shkruante e të cilin e botoi në 2015 “Children of Monsters: An Inquiry into the Sons and Daughters of Dictators” (Fëmijët e monstrave: Një hetim mbi djemtë dhe vajzat e diktatorëve).
Në librin e tij, Nordlinger përshkroi fatin e tyre dhe qendrimet ndaj prindërve pushtetarë. Ato variojnë. Dikur kam lexuar për fëmijët e udhëheqësve nazistë që ndonëse jo të gjithë janë prononcuar kanë një të përbashkët të çuditshme. Nuk kanë bërë fëmijë. Një si marrëveshje e heshtur për të shuar linjën gjenetike, nëse ishin gjenet vërtet faktor dhe jo idetë e karakteri, për të mos lejuar përsëritjen e mizorisë.
Në fakt, shumë figura të opozitës së parë shqiptare ishin fëmijë komunistësh që ishin aty sepse dëshironin ndryshimin. Nuk e di nëse ishin aty si rebelim personal i moshës ndaj prindërve të tyre. Dmth e urrenin regjimin pavarësisht prej prindërve të tyre, apo thjesht po u rebeloheshin prindërve e bashkë me ta regjimin të cilit i përkisnin. Një shpjegim tjetër është se ndodheshin aty sepse nuk besonin se do ta pësonin nëse lëvizja dështonte. Apo më saktë nuk e dinin mirë se çfarë ishte ndëshkimi nga shteti. Këtu mbase përfshiheshim edhe ne të rinjtë e familjeve jokomuniste, të diskrimnuara por jo të persekutuara. Një lloj versioni i çoroditur purgatori në “parajsën” komuniste shqiptare.
Një i persekutuar e dinte mirë tmerrin e goditjes nga shteti. Nëse kujtoni se të persekutuarit lanë fshtarat ku i kishin degdisur për të vrapuar në radhët e para të protestive anti-komuniste, kjo do të thotë se nuk e njihni mirë mizorinë e regjimit në Shqipëri. Vonesa e kuptueshme njerëzore ka qenë një arsye e fortë e pranisë më të paktë të shtresës më të ndëshkuar nga komunizmi në krye të partive që u krijuan në demokraci. Sigurisht kishte edhe arsye të tjera.
Një hapje e hershme dosjeve apo një publikim i shpejtë i krimeve të komunizmit mund të kishte sjellë një presion të madh moral mes shumë fëmijësh të udhëheqësve të regjimit, sidomos në aparaturat e sigurimit dhe rendit për t’u përballur me prindërit e tyre. Po përtej rasteve private, reflektimi ka qenë i rrallë. Gjithësesi ka ekzistuar dhe ka qenë më i fortë se sot. Ka qenë pjesë e sinqeritetit dhe naivitetit të kohës. Tani jemi rikthyer e strukur mirë në skutat tribale. Historinë e tyre kanë rishkruar të gjithë.
Në kohën tonë, fëmijët e politikanëve të sotëm kanë më shumë shanse të jenë bërë pjesë e krimeve dhe korrupsionit të prindërve të tyre sesa të shprehin qoftë edhe kritikën më të vogël ndaj tyre.
Nuk e imagjinoj dot një të ri shqiptar sot duke bërë gjestin e Pal Serreqit, studentit refuzoi publikisht medaljen “Pishtar i Demokracisë”, ndonëse babai i tij ishte ministër në qeverinë në fuqi. Po medaljet shkojnë e vijnë sot. Kush djalë do të refuzonte veturën e shtrenjtë që do t’i blinte babai. Më e mundshme është e kundërta, që babai të qortojë të birin për korrupsion. Kreu i bankës shqiptare desh përfundoi në burg kur një rast zhdukjeje parash arka e institucionit u gërshetua me fotografitë e paradës së luksit të paturpshëm prej të birit në Instragram e rrjete të tjera sociale.
Sigurisht, skena të tmerrshme fëmijësh që denoncojnë prindërit komunizmi ka pasur plot, po ato kanë qenë të tmerrshme e të siguruara në mos nga tortura nga frika e persekutimit. Ato kanë qenë përçudnime të marrëdhënieve njerëzore. Askush nuk mund të flasë kaluar për qendrime politike ndaj njerëzve të afërm. Ai që për ty është një shtazë politike, për fëmijën e tij ka qenë njeriu që e ka mbajtur në krahë kur ka qenë foshnje. Që e ka sjellë në jetë e ushqyer.
Të zgjedhësh shoqërinë, drejtësinë, ligjin, moralin përpara njeriut të familjes ka nevojë jo vetëm për karakter po edhe një klimë të shëndetshme publike, besueshmëri të lartë në pushtetin e ligjit, mbizotërim e respekt në publik për virtytin.
Askush nuk kërkon në kohën tonë që familjarët të denoncojnë korrupsionin e njerëzve të tyre të dashur por çdo person përveç jetës së tij publike ka edhe atë private. Nuk do të ketë një shoqëri të drejtë e të ndershme nëse këto nuk janë virtyte që çmohen në jetën private të njerëzve.
Megjithë fantazinë e lidhjeve të forta familjare Shqipëria e paskomunizmit është e mbushur në fakt me konflikte brenda familjes. Po këto janë për prona e pasuri, jo për parime e karakter. Mbase ka të tilla që nuk i dimë e që mbeten në privat, po politikani që nuk korruptohet ka më shumë shans të urrehet nga familja e njerëzit e dashur sesa të përgëzohet.
Në shumë kuptime, 52 vjet më parë, vajza e Stalinit e kishte shumë më të lehtë. Aq më tepër linte pas jo vetëm atdheun e një babai të vdekur, ku vetë shokët e tij e kishin zbritur nga piedestali, po edhe kujtimin e një babai aspak ideal në marrëdhëniet intime e familjare ndaj saj e nënës së saj kishte qenë mizor.
Në një libër për historinë e saj personale në Bashkimin Sovjetik, përpara se të mbërrinte në SHBA, në 1980, Cathy Young, citon një të afërm që thotë me shpoti “duhet kujdes i madh kur i zgjedh prindërit”. Nuk kishte faj, po të të binin me biografi të keqe do ta kishte pisk punën. Po të të binin familje komuniste, ishte në rregull. Të paktën deri në 1990. Pastaj, thjesht duhej t’i ndryshoje, duke i përshkruar ndryshe nga si kanë qenë.