Kur prindi që aplikon për vizë nuk ka çertifikatë lindjeje

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (shkruajini avokatit në shqip, në adresën:

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Jam një nënshtetas amerikan dhe kam dëshirë të sjell këtu mamanë time. Ajo është nga një fshat i vogël dhe është rritur gjatë një periudhë të vështirë. Mamaja dhe prindërit e saj u dëbuan nga shtëpia nga qeveria e keqe e asaj kohe dhe u dërguan në një vend tjetër shumë të largët. Kur ndodhi kjo, mamaja ishte ende e re dhe nuk kishte çertifikatë lindjeje. I kam lexuar udhëzimet në formular dhe e di që kërkohet çertifikata e lindjes. Çfarë të bëj? Faleminderit!  

LR

New Jersey  

Kur dërgon grupin e parë të dokumentave nuk nevojitet çertifikata e lindjes së mamasë, por ajo do t’i nevojitet përpara intervistës për vizë.  

Një nënshtetas amerikan që ka mbushur moshën 21 vjeç mund t’i dërgojë Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisës së SHBA-së (USCIS-it) një formular I-130, Petition for Alien Relative, për të treguar se egziston një lidhje me prindin që dëshiron të emigrojë në Shtetet e Bashkuara. Nevojitet të paraqisni nga një formular I-130 për secilin nga prindërit.

Është e domosdoshme të tregoni lidhjen me prindin. Nëse po dërgoni dokumentat për nënën tuaj, duhet të paraqisni një kopje të çertifikatës suaj të lindjes që përmban të dy emrat: emrin tuaj dhe atë të nënës suaj. Gjithashtu, duhet të tregoni që jeni nënshtetas amerikan. Për këtë qëllim mund të paraqisni: Një kopje të çertifikatës suaj të lindjes, të lëshuar nga një nëpunës i gjendjes civile, nga zyra ku ruhen regjistrat e gjendjes civile apo nga cilido autoritet që merret me këtë punë, ku tregohet që keni lindur në Shtetet e Bashkuara; Një kopje të çertifikatës së natyralizimit apo të nënshtetësisë të lëshuar nga USCIS-i apo Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë (INS) që ka qenë më parë; Një kopje të raportit konsullor në rast lindjeje jashtë shtetit, formulari FS-240, Consular Report of Birth Abroad (CRBA), lëshuar nga ambasada apo konsullata e SHBA-së; Një kopje të vlefshme të pasaportës amerikane; ose Një deklaratë origjinale nga një zyrtar konsullor i SHBA-së që dëshmon që jeni nënshtetas amerikan i pajisur më një pasaportë të vlefshme amerikane.

Nëse USCIS-i arrin në përfundimin që dokumenti që dëshmon lidhjen tuaj është i pamjaftueshëm, atëherë mund t’ju dërgojë një letër përmes së cilës do t’ju njoftojë që ka ndërmend t’jua hedhë poshtë kërkesën (Notice of Intent to Deny (NOID) ose Denial Notice). Nëse forma të tjera provash kanë rezultuar gjithashtu të pamjaftueshme, atëherë, me vullnetin tuaj, mund të paraqisni prova të tjera që tregojnë lidhjen mes prindit biologjik dhe fëmijës ku përfshihet dhe prova e testit të acidit dezoksiribonukleik (ADN-së). USCIS-i pranon vetëm rezultatet e atyre testeve të ADN-së që janë kryer në një laborator të akredituar nga Shoqata Amerikane e Bankës së Gjakut (AABB). Një listë e këtyre laboratorëve mund të gjendet në www.aabb.org/sa/facilities/Pages/RTestAccrFac.aspx

Duhet të paraqisni gjithashtu fotokopje sa më të lexueshme të dokumentave që ju kërkohen, përveç rasteve kur sipas udhëzimeve kërkohet në mënyrë specifike të paraqisni dokumentin origjinal. USCIS-i mund t’ju kërkojë një dokument origjinal në çdo kohë, qoftë kur sapo keni aplikuar, qoftë gjatë kohës së shqyrtimit të aplikimit, peticionit apo kërkesës suaj. Nëse paraqisni dokumenta origjinalë pavarësisht se nuk ju kërkohen, këto dokumenta mund të mbeten pjesë e arkivit dhe USCIS-i nuk do t’jua rikthejë automatikisht. Nëse paraqisni dokument që përmban informacion në gjuhë të huaj, nevojitet të paraqisni gjithashtu dhe përkthimin e plotë në anglisht. Në këtë rast, përkthyesi duhet të firmosë një çertifikatë ku deklaron që përkthimi në fjalë është i plotë dhe i saktë dhe që ai ose ajo ka kompetencën e duhur gjuhësore për të përkthyer nga gjuha e huaj në gjuhën angleze. Çertifikata duhet të përmbajë gjithashtu datën, firmën e përkthyesit, emrin e printuar si dhe informacionin e nevojshëm për të kontaktuar përkthyesin.

Pasi USCIS-i aprovon peticionin, çështja i kalon Qendrës Kombëtare të Vizave (NVC-së)  pranë Departamentit të Shtetit. Sapo të dhënat e çështjes suaj hyjnë në sistem, do t’ju vijë përmes e-mail-it ose postës së zakonshme letra e mirëseardhjes (Welcome Letter). Që nga ai moment mund të hyni në faqen e Consular Electronic Application Center (CEAC-së) për të kontrolluar statusin, për të marrë mesazhe apo për të administruar çështjen. Do t’ju kërkohet gjithashtu të paguani tarifat përkatëse, të paraqisni formularë të caktuar si dhe dokumenta përkatës në mbështetje të tyre. Çështja do të shqyrtohet me kujdes për t’u siguruar që e keni paraqitur të gjithë dokumentacionin që kërkohet përpara se të caktohet data e intervistës. Çdo emigrant që pret të marrë vizë duhet të mbledhë dokumentat e gjendjes civile që i kërkohen në mbështetje të aplikimit të paraqitur për vizë. Dokumentat e gjendjes civile duhen marrë pranë zyrave përkatëse të vendit përkatës. Në këtë pikë të proçesit, mamasë suaj do t’i kërkohet të paraqesë çertifikatën e lindjes.

Çertifikata e lindjes (Birth Certificate) e vlefshme për përdorim jashtë vendit  lëshohet nga zyra e Gjendjes Civile (Civil Status Office). Tarifa është dyqind lekë për çertifikatën e përkthyer në 6 gjuhë, për përdorim jashtë shtetit. Kjo është e vetmja çertifikatë lindjeje që pranon ambasada e SHBA-së në Tiranë. Personi që bën kërkesën, duhet të paraqitet vetë në zyrën e Gjendjes Civile, të tregojë dokumentin e identifikimit, të paguajë tarifën përkatëse dhe të marrë çertifikatën. Personi në fjalë duhet të thotë që çertifikata i duhet për t’ia paraqitur një ambasade të huaj. Egziston dhe mundësia që personi në fjalë të shkojë tek noteri dhe të autorizojë një palë të tretë që të marrë çertifikatën në emrin e tij ose të saj. Nuk ka kopje të çertifikuara.

Pranohen vetëm çertifikatat në të cilat lexohen fjalët “Çertifikatë Lindjeje”. Çertifikatat ku lexohet “Çertifikatë Personale” apo të dhënat e lindjes të regjistrave të institucioneve fetare janë të papranueshme. Dokumentat shqiptarë të paraqitur si pjesë e proçesit për marrje vize për në SHBA, në kohën kur paraqiten, nuk duhet ta kenë kaluar vitin.

Nëse nuk e siguroni dot një dokument që ju kërkohet, kur të skanoni dokumentat e tjerë, duhet t’i paraqisni NVC-së një shpjegim në formë të shkruar. Gjatë intervistës për vizë, zyrtari konsullor duhet të vendosë nëse përpara se t’i jepet viza, mamaja juaj duhet t’i sigurojë ose jo dokumentat që nuk ka. Nëse nuk arrini të siguroni të gjithë dokumentat që kërkohen, çështja që keni paraqitur do të vonohet.

Shpresojmë dhe urojmë që mamaja të vijë sa më shpejt. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]