Mik i ngushtë i At Gjergj Fishtës dhe Ismail Qemalit, ai vuri në dispozicion të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” gazetën e tij “Populli”.
Nga Keze Kozeta Zylo
10 Janari është 103 vjetori i vrasjes makabre të politikanit dhe mësuesit të elitës kombëtare Sali Nivicës nga armiqtë e Kombit. Ai vdiq, kur ishte vetëm 30 vjeç, më 10 janar 1920 në Shkodër,
U lind më 15 maj 1890, në Rexhin të Kurveleshit të Sipërm të Tepelenës. Mbaroi gjimnazin Zosimea të Janinës (1907-1909) dhe u caktua me punë mësuesie në Durrës. Gjatë kësaj kohe u përfshi me Lëvizjen Kombëtare shqiptare. Gjatë viteve 1911-1912 u përfshi me lëvizjet kryengritëse në Shqipërinë e Jugut, arsye për të cilën u arrestua dhe u burgos në Stamboll. U lirua me ndërhyrjen e Ismail Qemalit dhe ia doli të vendosej mësues i Gjuhës Shqipe në Robert College.
Sali Nivica ishte gazetar, politikan, shkrimtar, mësues i elitës kombëtare.
Ja c’shkruan At Gjergj Fishta, ky burrë i ndritur i Kombit:
“Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujtë me e bremun kërkund”.
Motoja e tij ishte: “Kombin e mban dhe difton komb nji atdhe homogjen, nji histori e kthjellët, nji besim i bashkët e nji gjuhë e livrueme”.
Ai krijoi gazetën “Populli” e cila botohej kryesisht në dialektin gegërisht, por që lexuesi do të lexonte edhe në dialektin toskërisht. Nën drejtimin e Sali Nivicës, duke qëndruar në pararojë të mendimit atdhetar të kohës, ajo u bë shprehëse e programit politik të Komitetit dhe e interesave mbarëkombëtare, sipas të cilit “Duhet me i dalë zot vetsundimit e tanësisë toksore të Shqipnisë, me përdor çdo mjet me çlirue Kosovën dhe Dibrën, e çdo vend ku flitet shqip e me u bashkue nën sundim të Shqipërisë së lire”.
Sali Nivica ka redaktuar edhe gazetën “Zgjimi” si dhe ka qenë korrespondent i gazetës “Liria”, që botohej në Janinë.
Ai kërkonte të ngrihej një Akademi për studimin e një gjuhe të përbashkët dhe një fjalor të gjuhës shqipe.
Më pas veprimtaria shkencore, politike dhe atdhetare e Sali Nivicës përqendrohet në Shkodër.
Më 6 shkurt 1918 ftohet dhe bëhet anëtar i “Komisisë letrare”, të krijuar në Shkodër më 1916, ku dha një kontribut të veçantë për probleme të lëvrimit të gjuhës shqipe ilegale në Shkodër, asaj Vllaznia e Rozafa. Shtojmë këtu se Kongresi i Manastirit (1908) dhe Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës (1916-1918) janë sukses i jashtëzakonshëm në lëmin e kulturës, sepse Kongresi njësoi alfabetin, ndërsa Komisia kodifikoi për herë të parë drejtshkrimin e gjuhës letrare.
Është ndër organizatorët e krijimit dhe zgjidhet anëtar i Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe anëtar i kryesisë së tij, prej 7 anëtarësh, 7 nëntor 1918.
Aty bashkëpunoi me figura të ndritura kombëtare si At Gjergj Fishta, Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Ndre Mjeda, Vinçens Prenushi, Sejfi Vllamasi etj. Si anëtar i Kryesisë, ai vuri në dispozicion të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” gazetën e tij “Populli”, zyra e së cilës u zhvendos në oborrin e ndërtesës së Komitetit.
Veprimtaria e tij atdhetare e publike ishte pengesë për planet aneksioniste serbo-sllave, italiane e greke.
Ndaj më 10 janar 1920, në prag të ngjarjes së madhe kombëtare, të mbledhjes së Kongresit të Lushnjës, u vra në Shkodër nga Kolë Ashiku, njeri i vënë në shërbim të forcave pushtuese serbe e italiane, i paguar dhe i armatosur posaçërisht.
Shkodra, ditën e varrosjes, i bëri Saliut të gjitha nderimet e rastit, duke e shpallur ditë zie.
Ja si e vlerëson elita intelektuale e Kombit:
“Saliu ishte intelektuali ma i aftë dhe ma konsenguent i kohës” Luigj Gurakuqi
“Saliu kur fliste për çështjen Kombëtare dridhej i tëri si purtekë” Skënder Petro Luarasi
“Ai hyll që perëndoi ishte personifikim i ç’quem i delikatesës dhe i pastërtisë së gjuhës sonë kombëtare. Këtë humbje nuk do ta verë në vend as një e katërta e shekullit” Hoxha Kadri Prishtina
Djalëria e Lezhës: Sali, na ndrite për me na çue në rrugë të përparimit.
Intelektualët e Kosovës: Saliu deri sa të rrojë atdheu ynë bashkë më dëshirën kombëtare, do të rrojë në zemrat tona. Këtë humbje nga mezi i jonë e quajmë një mënxyrë kombëtare dhe e qajmë me lot plot gjak.
“S’të keshëm radhë si çdo radhë por shok me Ismail Qemal” Këngë e ngritur nga populli
Në Muzeun e Shkodrës ndodhet fletorja, stilolapsi dhe çanta e tij.
Presidenca e dekoroi me urdhërin “Nderi i Kombit”.
Cfare frymezimi me jep kur lexoj per historine atdhetare te Sali Nivices, respektin qe I beri Shkodra ketij biri të Tepelenës heroike!
Burrat e ndritur na mësojnë se: Kombi është një dhe ne jemi bijtë e tij!
10 Janar, 2022
Staten Island, New York