Nga Ruben Avxhiu
Rusia dje aneksoi edhe katër territore të tjera të Ukrainës, një akt politik që nuk ka asnjë legjitimitet.
Por ngjarja që tërhoqi më shumë vëmendjen e vëzhguesve të Rusisë ishte fjalimi i radhës i çoroditur i Presidentit Vladimir Putin që provoi të shpjegonte arsyet e gllabërimit të trojeve fqinjve dhe të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Fjalimi ishte i rrëmujshëm edhe sepse Putini u mundua t’u fliste shumë audiencave njëkohësisht. Ishte një akt propagande.
Në thelb ishte një shfryrje kundër Perëndimit, në përpjekje për të treguar se Perëndimi nuk ishte më i moralshëm se Rusia, se në Perëndim ishin vendet kolonizatore që kanë shfrytëzuar botën e kanë bërë krime të mëdha.
Putini mund t’i hakërrehet Perëndimit sa të dojë. Edhe nëse ato histori janë të vërteta, ato janë histori të një bote që nuk kthehet më. Në fakt, i vetmi që përpiqet ta rikthejë atë botë sot është Vladimir Putini.
Po, vendet perëndimore kanë pasur koloni në mbarë botën. Ato sot, të gjitha janë të pavarura. Nga të gjitha fuqitë e mëdha, Rusia është e vetmja që nuk ka pranuar të lëshojë kolonitë e saj. Nga Uralet deri në Oqeanin Paqësor, nga ngricat e Arktikut në Dagestan, qindra popuj të vegjël që nuk kanë asnjë lidhje me rusët jetojnë të kolonizuar pa asnjë të drejtë vetëvendosjeje. Përkundrazi, në luftën e sotme për pushtimin e Ukrainës, djemtë e kombeve indigjene janë duke u marrë masivisht në ushtri për të vdekur në emër të perandorisë ruse.
Nuk janë vendet e Perëndimit sot ato që po aneksojnë territoret e një vendi sovran. Nuk është Perëndimi që ka nisur një luftë grabitqare.
Putini shpreson të përbaltë kritikët e tij më të fortë me shpresën se do të fitojë betejën e opinionit publik. Por problemi i tij nuk mbaron në Perëndim. Asnjë vend në botë, as në Lindje e as në Jug, as edhe aleatët e tij më të ngushtë, nuk kanë njohur referendumet fallco me të cilat po përpiqet t’ia grabisë Ukrainës katër krahina.
Putini përdori fjalorin antikolonialist për të nxitur perëndimorët e majtë që kritikojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Ai përdori fjalorin e familjes së krishterë për të nxitur perëndimorët e djathtë që ta shohin si shpëtimtar të konservatorizmit. Por është një përpjekje e kotë.
Rusia është sot vendi i vetëm imperialist që synon aneksime territoriale dhe nënshtrim vendesh me kërcënimin e pushtimit dhe armëve bërthamore.
Sa për familjen e krishterë e tradicionale, kjo është qesharake. Mjafton të shohësh statistikat nuk ka vend kryesor në botë ku familja është në krizë sa Rusia. Imoraliteti është masiv. Nëse ka një vend ku prifti është një figurë e korruptuar është Rusia.
Të gjitha këto kuptohet janë përpjekje për zhvendosje të vëmendjes nga lufta në Ukrainë.
Rusia zyrtare organizoi sot koncerte në mbarë vendin për të festuar bashkimin me katër territore që nuk duan të bashkohen me të. Por atmosfera e vërtetë në vend, nuk janë gjimnazistët me lule si në parakalimet sovietike, por gati gjysëm milionë djem të rinj rusë që janë arratisur nga kufiri brenda një javë që t’i shpëtojnë mobilizimit të detyruar ushtarak. Rusët nuk duan të vdesin për një luftë të kotë për shkak të fiksimit të diktatorit të tyre 70-vjeçar që pas më shumë se 20 vitesh në pushtet po sheh ëndrra me lavdi imperialiste.
Duket qartë që Putini po përpiqet të thurrë një ideologji që të justifikojë aventurën e tij të dështuar ushtarake në Ukrainë duke e paraqitur si një revolucion botëror për t’i dhënë fund hegjemonisë së Perëndimit. Në fakt, vendet që duan që ta barazpeshojnë Perëndimin, si Kina, India etj e shohin aventurën ruse në Ukrainë si dëmtuese të planeve për ndryshim.
Ideologjia të çon deri diku. Ndryshe nga Rusia e sotme e carit shkurtabiq, Bashkimi Sovietik ka pasur një ideologji të jashtëzakonshme, të mbështetur vërtet në filozofi e teori ekonomike. Ishte një ideologji e përqafuar nga miliona vetë në mbarë botën, përfshi edhe në Perëndim. Një ideologji e artikuluar mirë e me baza shkencore. Jo përalla të një natë vjeshte si ky fjalim i Putinit.
E megjithatë, Bashkimi Sovietik u rrëzua. Ideologjia të çon deri diku, e të jep frymëzim e mobilizim. Por ajo duhet të përputhet me realitetin dhe dëshirat e nevojat e popujve.
Kjo çorba e përzjerë e Putinit sonte vetëm sa dëshmoi mungesën e thellë të seriozitetit të tij si udhëheqës. Një fatkeqësi në radhë të parë për Rusinë vetë.