“KURRSESI NUK DUHET HARRUAR SE BARKU NGA AI DOLI ENDE NUK ESHTE SHTERPEZUAR” 

Opinion nga Rafaela Prifti 

“Arturo Ui”, pamje nga realizimi për Televizionin Shqiptar.

Vështirë të gjesh një tjetër vepër arti që e paraqet më lakuriq gangsterizmin politik të Trumpit se Arturo Ui. Skena dhe personazhe të dramës janë ilustrime bashkëshoqëruese të daljes së Trumpizmit në horizontin politik amerikan dhe ngritjes së furishme të kultit të tij të individit te masat. Përpara se të provoj të shtjelloj mendimet e mia për paralelizmat e tyre, do paraqes shkurt historinë e dramës si edhe përshtypjet nga shfaqja Arturo Ui e realizuar në Teatrin Kombëtar në Shqipëri në vitin 1971.  

Titulli i plotë Arturo Ui – Historia e Një Karriere që Mund të Frenohej e përcjell urgjencën që ngërthen vepra e Bertold Breht-it. Ishte viti 1941 kur dramaturgu gjerman u largua në azil duke sinjalizuar se ethet nacionaliste që po mundësonin konsolidimin e Hitlerit në politikën gjermane do të kishin pasoja katastrofale për gjithë kontinentin dhe botën. Gjatë qëndrimit në Helsinki, në pritje të merrte vizën nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, Breht-i e shkruajti dramën duke vendosur në qendër historinë e një gangsteri në Çikago, i cili arrin të shtjerë në dorë sektorin e tregtisë së zarzavateve (lulelakrës). E konceptuar për amerikanët, drama është alegori satirike e ngritjes së nazistëve në pushtet. Çdo personazh dhe skenë ka një paralele me ngjarje historike të lidhura me ardhjen në fuqi të nazizmit në Gjermani. Për t’i vizualizuar ato, Brehti jep udhëzime të detajuara në dramë të skenave që shoqërohen me foto-projeksione ose kuadro filmike të periudhës së Republikës së Veimarit dhe Gjermanisë naziste. Në fillim të viteve ‘30 gjendja e rënduar ekonomike së bashku me mungesën e stabilitetit politik kishin pjekur kushtet për konsolidimin e krahut nazist nën drejtimin e Hitlerit. Ndër faktorët më efektivë të propagandës hitleriane ishte nxitja e paragjykimeve dhe manipulimi i pakënaqësive ekzistuese të shoqërisë. Në të vërtetë, farat e një miti të rrezikshëm ishin mbjellë shumë më herët. Në përfundim të luftës së dytë botërore, gjeneralët dhe trupat gjermane nisën të pretendonin se ata nuk kishin pësuar humbje ushtarake por në fakt ishin tradhëtuar nga politikanët mjeran. Për ta vendosur këtë periudhë në kontekstin e kohës, historiani Xhefri Magargee komenton se nëse do zgjidhej një sllogan për fushatën zgjedhore të Hitlerit, ai do ishte “Ta Bëjmë Gjermaninë të Lavdishme Përsëri!” 

E pyeta kineastin Stiven Luka rreth jehonës së veprës së Brehtit sot. Si artist, ai e vlerëson rezonancën e dramës dhe jehonën e saj në sferën e artit si edhe në jetë. Stiven Luka shpreh mendimin se meqënëse fillimisht Brehti e shkruajti dramën në gjuhën gjermane duke inkuadruar motive nga Shekspiri dhe nga filmat me gangsterë të Hollivudit dhe e përktheu anglisht më pas, vepra arrin të ketë një efekt distancues. “Në këtë mënyrë, Brehtit nuk i duhet ta përmend emrin e Hitlerit. Por përmes imazheve dhe referencave të dramës krijohet karikatura e tij, që në varësi të vendit dhe kohës e bën Arturo Ui-n të jetë kopja e pjellës që krijon banditizmi në pushtet. Me fjalë të tjera, vepra flet për çdo kohë dhe për të gjitha kohërat. sepse është konceptuar për të na dhënë një mësim, të cilin ne jemi të paaftë ta kapim,” thotë Luka. 

Paralajmërimi i Brehtit për regjimet fashiste që po ngjizen sot në botë shprehet në titullin e plotë. Por a është e frenueshme karriera e një njeriu si Arturo Ui? Si mund të frenohen Arturo Ui-të e rinj që nga Trumpi deri te Edi Rama?  

Unë e kam parë dramën Arturo Ui në një kohë dhe vend tjetër. Ia vlen të diskutohet si temë më vete fakti që një vepër që synon të zgjoj njerëzimin ndaj rreziqeve të sistemeve totalitare u realizua në Shqipërinë komuniste në vitin 1971. Mund të them se në vitet e adoleshencës duhet ta kem parë teatrin në ekranin e televizorit shqiptar me dhjetra herë. Pirro Mani dhe Agim Qirjaqi, dy regjizorët e dramës, përkatësisht i skenës dhe i xhirimit televiziv, kanë ndërruar jetë. Pirro Mani, regjisor shumë i respektuar dhe veteran i Teatrit Kombëtar shqiptar, u përcoll me nderime në maj të këtij viti në Nju Jork. Agim Qirjaqi, artist dhe regjizor i talentuar, vdiq në Shqipëri në vitin 2010. Ndonëse drama zgjaste dy orë e gjysmë e xhiruar në bardhezi, ajo të ngërthente me tensionin e brendshëm dhe zgjidhjet skenike, shoqërimet e ethshme muzikore mes akteve dhe efektet zanore të krakëllitjeve të automatikut, ndërsa në fund të akteve parakalonin imazhe filmike të Hitlerit dhe aleatëve të tij nazist. Më mahniste loja e aktorëve profesionistë dhe gjithë trupa e talentuar e Teatrit Kombëtar shqiptar. Disa nga batutat plot sarkazëm dhe ironi të personazheve si Xhivola, Roma, Giri, i dija përmendësh por në fund më ngjethte zëri drithërues i aktores brilante Margarita Xhepa. Ajo del këmbëzbathur në skenë, pasi gagsterët e Ui-së ia kanë vrarë bashkëshortin dhe thërret nga salla për ndihmë: “Ata po na shfarosin…. Po unë e di kush është. Është ai, Arturo Ui. Oh, ti morr i morrave, më i poshtri horr i horrave.” 

Pyetja në epilogun e dramës i kërkon audiencës të thellohet te mesazhi i veprës që përcillet nëpërmjet historisë fiktive të një gangsteri të viteve ‘30-të i cili në sajë të bashkëpunëtorëve të tij dhe mbështetjes nga politikanë të korruptuar arriti të uzurpojë Trustin e Lulelakrës. Një prej tyre, plaku i virtytshëm ose “i ndershmi Dogsboru” tek i cili etika dhe reputacioni nuk arrijnë të konkurojnë me interesat personale. “Akaparimi’ i plakut Dogsboru është vetëm fillimi për Arturo Ui-në. Ai manipulon me radhë nëpunës e zyrtarë, dikastere dhe institucione dikur të respektueshme si gjykatat dhe mediat për t’i kthyer ato në vegla shërbestare të ambicjeve të tij për pushtet. 

Historia e Një Karriere që Mund të Frenohej jep paralajmërin e Breht-it për regjimet fashiste dhe totalitare që e kanë zanafillën tek korrupsioni moral e politik i shoqërisë, Kështu i hapet rruga makinacioneve që sjellin në fuqi diktatorë. Disa nga kritikët e veprës kanë vënë në dukje praninë e moralizimeve, por shumë të tjerë kanë vlerësuar arritjen e një balance të matur midis temës së errët dhe mjeshtërisë së artit skenik. Një prej rezonancave të personazhit Ui me Trumpin janë kundërshtitë e karakterit; nga njëra anë pompoz dhe i përfshirë nga ndjenja e vetë-madhështisë dhe nga ana tjetër, një fëmi i llastuar dhe tekanjoz. Paralelet realitet art janë të bollshme dhe të kudogjendshme. Për ilustrim mjafton një situatë aq e njohur sa edhe konkrete. Ui insiston se tregtarët dhe tregtia e zarzavateve është në rrezik dhe se ai është i vetmi shpëmtimtar i tyre kur faktikisht përbërësi kryesor i skemës së tij është mbajtja nën panik dhe frikë e gjithë shitësve të qytetit nga bashkëpunëtorët e Arturos. Formula e preferuar e Trumpit për kriza që i shkaktonte vetë si për shembull pezullimi i punës së gjithë qeverisë për të bërë presion për financimin e murit me Meksikën, ishte: “Unë jam i vetmi që mund t’ju shpëtoj!” 

Në skenën e fundit, banda e Ui-së arrin të zgjerojë territorin e vet dhe të hyjë në qytetin Cicero. Në fjalimin e tij, Ui i falenderon tregtarët e mbledhur në shesh, që sipas tij “e kanë ftuar në Cicero”, ngaqë janë të shqetësuar për qetësinë publike. Dhe pa humbur kohë ju kërkon të votojnë për të ‘mbrojtur’ qytetin e tyre ashtu si Çikagon. Kur dikush nga shitësit pyet nëse kanë leje të largohen, gangsterët e Ui-së thonë se secili është i lirë të veprojë sipas dëshirës. Mirëpo të kërcënuar nga armët, tregtarët votojnë për Arturo Ui-në pasi kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe janë njoftuar se ai që u largua pa votuar kishte pësuar aksident dhe ishte vrarë. E shoqja e viktimës, e cila ka qenë dëshmitare e vrasjes, është personazh i skalitur në kujtesën time, nga interpretimi i aktores Margarita Xhepa. Natyrisht ngaqë ne të gjithë jemi ‘dëshmitarë’ të asaj që ndodh sot para syve tanë. Fjalët e saj rezonojnë si alarm për Trumpizmin: “Unë e di se kush është. Është ai, Arturo Ui. Oh ti morr i morrave, më i poshtri horr i horrave. A dëgjuat? Është Arturo Ui…me shokë. Janë Arturo Ui-të. Kush do ta frenojë këtë kolerë?” Të bërit sehir është bashkëfajësi….se “kurrsesi nuk duhet harruar se barku nga ai doli ende nuk është shterpëzuar!” Ashtu si tetëdhjetë vjet përpara kur u shkrua drama, një zë dëshpërues pyet sot: Kush do t’i frenojë Arturot e kohës sonë? 

Shkruar në verë -vjeshtë 2021. Ribotohet me pak redaktim. 

  

Comment

*