Pragë, 5 shtator 2024 – Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe i dërguar special për Ukrainën, Kurt Volker, ka deklaruar se Perëndimi po e fuqizon presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili po i minon vendet Ballkanit dhe po përpiqet ta bëjë Serbinë një Rusi në Ballkan.
“Mendoj se Vuçiqi në thelb përpiqet ta kthejë Serbinë, le të themi, në Rusinë e Ballkanit, pra një komb dominues ndaj të tjerëve në Ballkanin Perëndimor që luan me kartën e minoritetit serb në shtetet tjera, duke u mbështetur në një masë të madhe tek Rusia, tek burimet energjetike të saj dhe tek Kisha Ortodokse Ruse”, ka thënë Volker në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën kroate.
Ambasadori Volker ka thënë se Vuçiqi po e shfrytëzon qasjen e Perëndimit për të vazhduar lojën me të dy portat.
“Ne vazhdojmë të themi se po përpiqemi ta shkëpusim Serbinë nga Rusia, ndërsas Vuçiqi me shumë kënaqësi bëhet sikur edhe ai e dëshiron këtë, por për këtë i duhet më shumë kohë dhe hapësirë dhe vazhdon të luajë në të dyj anët”, ka thënë ai.
Ambasadori Volket ka thënë se Perëndimi duhet ta shtojë presionin ndaj Vuçiqit, sepse ai po i minon vendet tjera të Ballkanit.
“Me Vuçiqin ne pamë forcim të nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, mbështetje të Milorad Dodikut dhe minim të Bosnjës e Hercegovinës dhe ndërrim të pushtetit në Maqwedoninë e Veriut, i cili është më pak pro-evropian”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Vuçiqi do ta vazhdojë politikën e tij deri në pafundësi, derisa Perëndimi nuk e ndryshon kursin që mban aktualisht në raportet me të.
“Unë nuk besoj se Vuçiqi e ka nӕ mendje një pikë fundore. Për dikë në pozicionin e tij është sikur të ngasë një biçikletë, të vazhdojë kështu pafundësisht, duke xhongluar me të gjithë topat. Dhe ky është vetëvetiu një qëllim në vete, vetëm që të mbetet në pushtet”, ka theksuar Volker.
(r.m.)