Kurti: Ajo për çfarë jemi pajtuar në Ohër duhet të zbatohet plotësisht

Prishtinë, 16 prill 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.

Në një deklaratë publike, në Twitter, Kurti e ka përjashtuar zbatimin e pjesshëm të marrëveshjes, sikurse edhe vonesat epajustifikueshme.

“Ne i kemi shpenzuar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars, në Ohër, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e shpalli zyrtarisht marrëveshjen. Tani duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë ajo për çka është arritur pajtim. Asnjë zbatim i pjesshëm dhe pa vonesa”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës e ka bërë këtë deklaratë pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, ndonëse në marrëveshje thuhet se palët duhet ta zbatojnë në tërësi marrëveshjen për të cilën janë pajtuar, ndonëse ajo nuk është nënshkruar.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar në disa raste se palët që nuk e zbatojnë marrëveshjen do të penalizohen.

Brukseli ka paralajmëruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 2 maj. Sipas paralajmërimeve, ata pritet të nënshkruanin një deklaratë lidhur me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, teksti i të cilës është miratuar nga kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislmi dhe Petar Petkoviq.

Megjithatë, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë interpretime të ndryshme lidhur me tekstin e deklaratës. Sipas Bislimit, në deklaratë është përfshirë termi “persona të zhdukur me dhunë”, i cili e ngarkon me përgjegjësi shtetin e Serbisë, ndërsa sipas Petkoviqit, në deklaratë nuk është psërfshirë ky term nga i cili burojnë konsekuenca për Serbinë.

(r.m.)