Prishtinë, 13 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se hapja e arkivave, në Serbi dhe në Kosovë, do të ndihmojë në ndriçimin e fatit tëpersonave të pagjetur.
Kurti ka theksuar se në arkivat shtetërore gjenden dokumente për vrasjet e masakrat e forcave serbë në Kosovë, si edhe për vendndodhjen e trupave të pajetë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Ai ka thënë se kjo është arsyeja që që arkivat në Beograd duhet të hapen,siç është shprehur, një orë e më parë.
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd, sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serbë, por nga shteti i Serbisë, në mënyrë të organizuar e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, ka thënë ai, citon ekonomia online.
Shefi i Qeverisë ka shprehur qëndrimin e tij edhe lidhur me hapjen e, siç është thënë, “arkivave të UÇK-së”. Ai ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fshehë, pasi Kosova ka qenë nën nën administrimin ndërkombëtarëve.
“Siç e dini, që nga viti 1999 e këndej kemi qenë nën administrim ndërkombëtar. Pra, vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka. E ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e në Kosovë, duhet të zbardhen. Duhet të zbardhet e vërteta dhe të dihen urdhërdhënësit”, ka thënë ai
Kurti ka thënëse për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.
“Pikënisja jonë, si Qeveri, nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë, por mbrojtja e interesit tonë dhe vullneti për të drejtën dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar, kryefjalë duhet ta kemi hapjen e arkivave atje”, ka thënë Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i ka bërë këto komente në hapje të edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe nga Fondacionin Friedrich-Ebert.
(r.m.)