Kurti: Ata që synojnë ta destabilizojnë Kosovën gjithmonë do të dështojnë

Prishtinë, 19 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë, dhe se për këtë temë janë në koordinim të rregullt me KFOR-in.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha ai.

Kurti e cilësoi joreale kërkesën e Serbisë për dërgimin e 1.000 trupave të saj në Kosovë;

“Kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serbë në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet”, u shpreh ai.

Kurti tha se kjo kërkesë është shprehje e pafuqisë së Serbisë.

“Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, tha ai.

Kurti e cilësoi si përpjekje për destabilizimin e Kosovës protestën e grupeve të djathtistëve serbë pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë, në territorin e Serbisë. Ai theksoi se përpjekjet e tilla do të dështojnë.

“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik [Vladimir] Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje”, tha Kurti.

“Synimi i tyre ishte të hynin në Kosovë. Nuk ishin në numër çfarë ata e kishin menduar dhe paralajmëruar, ndërkaq organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht që janë kujdesur për sigurinë dhe paqen”, tha ai.

Gjashtë barrikadat e vendosura më 10 dhjetor e kanë bllokuar qarkullimin në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat u vendosën nga grupe të serbëve lokalë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, pas arrestimit të ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

(r.m.)