Prishtinë, 10 gusht 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë sa më parë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Ai ka thënë se këto masa janë të padrejta dhe ka theksuar se institucionet e Kosovës po bëjnë gjithë çfarë është në mundësinë e tyre që Bashkimi Evropian të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.
“Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropianë sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës”, ka thënë Kurti për Kosovapress.
Kurti e ka mirëpritu letrën e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë, ku kërkohet mbështetje më e madhe ndaj Kosovës dhe qasje më e ashpër ndaj Serbisë.
“Nëpër parlamentet e shteteve të perëndimit demokratik, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka gjithnjë e më shumë ligjvënës, përfaqësues të popujve liridashës dhe demokratikë që dëshirojnë që qasja ndaj Kosovës të përmirësohet dhe qasja ndaj Serbisë të ashpërsohet. Ne mendojmë se një iniciativë e tillë është e drejtë dhe dobishme”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë për deeskalimin e plotë të situatës në katër komunat veriore, por ka shtuar se atje ende ka potencial për eskalim të situatës.
“Jemi të interesuar për deeskalim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe deeskalimi tashmë ka ndodhur. Nuk kemi protesta të dhunshme, s’kemi incidente, veçse duhet të jemi të kujdesshëm nga potencialiteti i rieskalimit. Dihet që adresa për këtë nuk ndodhet në Republikën e Kosovës, por në kryeqytetin e fqinjit tonë verior”, ka thënë ai.
Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur mezgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës. Ai ka thënë se mënyra më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të reja është shkarkimi i kryetarëve aktualë të komunave përmes peticionit të qytetarëve.
(r.m.)