Prishtinë, 11 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në takim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka theksuar se Marrëveshja Themelore për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me të cilën janë pajtuar të dy palët, duhet të zbatohet në tërësi.
Kurti, në një deklaratë të shpërndarë përmes rrjetit social “Twitter”, tha se BE-ja duhet ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme të Marrëveshjes Thremelore, të arritur në Bruksel.
“E mirëprita sot në zyrat tona të qeverisë, përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak. Theksova nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”, ka shkruar Kurti.
Welcomed EU Special Representative Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) at our govt offices today. I emphasized the need for the Basic Agreement to be implemented in its entirety, and the need for the EU to hold Serbia accountable for the persistent violations of that Agreement. pic.twitter.com/hUcwS2JA6t
— Albin Kurti (@albinkurti) May 11, 2023
Ndërkaq Lajçak tha se me kryeministrin Kurti kapasur një “diskutim të rëndësishëm”. Në një prononcim për mediet, pas takimit, ai tha se qëllim i takimit ishte të krijohet një ide e qartë se si do të veprohet tash e tutje.
“Ne e kemi Marrëveshjen, e kemi Aneksin, andaj duhet të kemi një ide të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai.
As Kurti e as Lajçak nuk treguan se çfarë kanë biseduar lidhur me temën më të nxehtë të dialogut Kosovë-Serbi, Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në fakt, Lajçak është pyetur lidhur me këtë temë, por ka dhënë një përgjigje parimore. Ai ka thënë se për Bashkimin Evropian është e pranueshme çdo model i Asociacionit “që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
(r.m.)