Kurti: BE s’ka pranuar që unë ta shkruaj draftin e statutit të Asociacionit

Prishtinë, 25 prill 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që ai ta shkruajë draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai tha se tani pritet drafti i statutit që hartohet nga ekipi menaxhues për zbatimin e Marrëveshjes bazë dhe Aneksit të saj.

“Në takimin e Ohrit, më 20 mars, kam ofruar ta shkruaj unë draftin e statutit të Asociacionit, me ato tri shtyllat parimore që duhet të pranohen paraprakisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua nga ndërmjetësit m’u tha se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit, para një dekade”, tha ai.

‘Unë, si Kryeministër i Kosovës, kujdesem për kushtetutshmërinë e ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion të qëllimeve dhe parimeve tona”, theksoi Kurti.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë përfaqësues në ekipin që do të  hartojë draftin e statutit të Asociacionit.

“Nuk ka anëtarë të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim që është i ngarkuar me dialogun, por hartimi i draftit të statutit, në të kaluarën, është konsideruar detyrë e ekipit menaxhues”, tha Kurti.

Ai tha se ky ekip nuk i është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të institucioneve të Kosovës.

Kurti u pyet edhe lidhur me deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundër zbatimit të plotë të Marrëveshjes bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit për zbatimin e saj të 18 marsit në Ohër. Ai tha se marrëveshjet duhet të zbatohen në tërësi sa më parë.

“Duhet të zbatohen në plotëni dhe sa më pare. Pra, teksti është i qartë dhe duhet të zbatohet. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë se do ta  zbatojë në mënyrë të pjesshme. Kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se nuk do të ketë zbatim”, deklaroi Kurti.

(r.m.)