Kurti: BE të gjejë mekanizëm që e bën marrëveshjen ligjërisht të obligueshme

Prishtinë, 19 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për rezultatin e takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u mbajt të shtunën, më 18 mars, në Ohër.

Kurti, në një postim në Twitter, ka përsëritur se në Ohër kishte shkuar me qëllim që ta nënshkruante marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian, bashkë me aneksin e saj, por ka qenë Vuçiqi ai që ka refuzuar nënshkrimin, sikurse kishte vepruar edhe në Bruksel, më 27 shkurt.

“Ne kemi ardhur në Ohër me qëllime të mira dhe kemi treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, emisarin Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-ve, Gabriel Escobar për angazhimin e tyre të palëkundur, si edhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen e tyre të ngrohtë”, ka shkruar ai.

Kurti ka theksuar se tashti i takon BE-së që të sigurojë një mekanizëm që do ta bëjë marrëveshjen të obligueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarit.

“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu sikurse iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes në takimin e fundit në Bruksel, tani iu shmang edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, ka shkruar Kurti.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan fillimisht takime të ndara me Borrellin dhe me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përpara se të fillonin takimin e përbashkët, i cili zgjati deri në orët e vona të 18 marsit.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte i pranishëm në takim në cilësinë e vëzhguesit.

Escobar tha se pajtimi i palëve me marrëveshjen hap dyert për integrime më të shpejta euro-atlantike të të dyja vendeve.

(r.m.)