Kurti bën thirrje për rritjen e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë

Prishtinë, 26 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për median gjermane “Ëelt”, ka thënë se kërcënimet nga Serbia dhe nga Rusia e bëjnë urgjente rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

“Rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe. Rusia dhe Serbia punojnë ngushtë së bashku në politikën ushtarake. Në vitin 2021, ato ndërmorën gjithsej 104 manovra dhe aktivitete të përbashka, në disa prej të cilave përfshiheshin edhe forcat e armatosura të Bjellorisë. Për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Kjo patjetër do të përmirësonte sigurinë tonë. Do të na ndihmonte gjithashtu nëse në trupat paqeruajtëse të NATO-s do të merrnin pjesë më shumë ushtarë gjermanë. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zhvilluar më tej kapacitetet e strukturave tona të sigurisë”, ka thënë Kurti, duke u përgjigjur në pyetjen nëse Kosova ka nevojë për më shumë trupa të KFOR-it.

Kurti ka thënë se vendimet për targat e automjeteve dhe për  dokumentet e hyrje/daljes për shtetasi e Serbisë do të nisë të zbatohet prej 1 shtatorit. Megjithatë, ai ka thënë se është i gatshëm të heqë dorë nga dokumenti i hyrje/daljes, në qoftë se edhe Serbia do të heqë dorë nga kjo praktikë, të cilën e zbaton prej kohësh për shtetasit e Kosovës.

“Kontrollet e planifikuara kufitare për qytetarët serbë që duan të udhëtojnë në Kosovë dhe rregulloret e reja për targat do të jenë të detyrueshme dhe do të zbatohen për një kohë të pacaktuar, nga 1 shtatori. Por unë jam gati të shtrëngoj duart me Vuçiqin. Nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë ne do ta bëjmë të njëjtën gjë”, ka thënë Kurti.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilluan takime me udhëheqës shtetërorë të Kosovës dhe të Serbisë për të gjetur një zgjidhje për uljen e tensioneve që shkaktuan këto dy vendime të qeverisë së Kurtit.

KFOR-i ka shtuar praninë në pjesën veriore të Kosovës, për të parandaluar bllokimin e rrugëve dhe ngritjen e tensioneve për shkak të këtyre dy vendimeve. Më 31 korrik dhe 1 gusht, grupet radikale serbe, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, bllokuan rrugët pranë vendkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinje dhe Merdar. Zhbllokimi i rrugëve u bë pasi qeveria e Kurtit, pas sygjerimit të SHBA-së dhe BE-së, pezulloi për një  muaj zbatimin e këtyre vendimeve.

 (r.m.)