Bruksel, 18 maj 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën mbrëma në Bruksel se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jenë njësoj si në të kaluarën dhe se në thelbin e tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
“Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit: njohja reciproke. Pra, as Serbia s’e njeh Kosovën, por as Kosova s’e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në Ballkan”, tha ai.
Kurti tha se takimi i tij me Presidentin e Serbisë do të zhvillohet kah mesi i qershorit. Ai tha se në këtë takim do të diskutohet për agjendën e dialogut dhe theksoi se dialogu nuk mund të vazhdojë sikurse në të kaluarën.
“Do të jetë takim për të diskutuar se si do të vazhdojmë me dialogun, me çfarë agjende. Kemi nevojë të dakordohemi për procesin përpara, nuk mund të vazhdojmë si në vitet e kaluara dhe me qeveritë e kaluara. Duam dialog me parime dhe të përgatitur mirë”, tha kryeministri Kurti.
Kurti tha se raundit të ri të dialogut me Serbinë do t’i paraprijë një takim me liderët e partive opozitare në Kosovë dhe një seancë e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për gjendjen me dialogun, përfshirë edhe rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, siç u shpreh ai, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët.
Kryeministri i Kosovës i bëri këto komente në Bruksel, të martën në mbrëmje vonë, pas një darke pune të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimet evropiane.
Duke folur për këtë takim joformal, Kurti tha se aty ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe ka paraqitur pikëpamjet e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai po ashtu tha se janë tri elemente që do të mund ta përshpejtonin procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE: demokratizimi përmes luftimit të autokracive, sundimi i ligjit përmes luftimittë oligarkive dhe ballafaqimi me të kaluarën, përmes eliminimit të kriminelëve nga skena poilitke dhe nga institucionet shtetërore.
“Edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor, siç e dini, kemi edhe kriminelë të luftës dhe të paqes të cilët dominojnë institucionet dhe partitë politike. Kjo duhet të marrë fund dhe në këtë mënyrë besoj që do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë brenda Ballkanit Perëndimor dhe më shumë besim në të ardhmen, dhe një bashkëpunim i cili është afatgjatë dhe i drejtë”, tha Kurti.
Në takimin joformal me Borrellin morën pjesë; kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Zoti Borrell tha se takimi joformal ishte në funksion të diskutimeve rreth sfidave më të cilat përballet rajoni, për tëcilin tha se “ka rëndësi strategjike për gjithë Bashkimin Evropian”.
Borrel tha se përkushtimi i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është “i padiskutueshëm” dhe shtoi se ky përkushtim, siçu shpreh, “ka nevojë që jetë edhe i dukshëm”.
“Prandaj e riktheva traditën e darkave joformale me gjashtë liderët, për të hapur bisedimet politike dhe strategjike mbi të ardhmen tonë të përbashkët”, theksoi ai.
(r.m.)