Prishtinë, 16 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të martën me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) në Kosovë.
Takimi u zhvillua para takimit të kryeministrit Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është planifikuar të mbahet të enjten në Bruksel.
Në një komunikatë të shkurtër të zyrës së kryeministrit të Kosovës thuhet se në këtë takim është biseduar për takimet e ardhshme në Bruksel dhe për çështjet që pritet të diskutohen në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë.
“Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë”, thuhet në komunikatë.
Në takim, bashkë më kryeministrin Kurti, ishte edhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është udhëheqës i ekipit negociator të Kosovës në dialon me Serbinë.
Të martën gjatë ditës, edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka njoftuar se ka pasur një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it. Ai ka thënë se ambasadorët kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që ta pranojnë realitetin se Kosova është shtet i pavarur.
(r.m.)