Çikago, 21 gusht 2024 –Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me senatorin amerikan Chris Murphy, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike, në Çikago, njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti, i ka vlerësuar “marrëdhëniet e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe ka shprehur interesimin për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Zyra e Kryeministrit Kurti bën të ditur se në takim është biseduar edhe për zhvillimeve në Kosovë dhe për situatën e sigurisë në rajon.
“Më tej, ata biseduan edhe rreth zhvillimeve në vend, situatën e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe momentin e rëndësishëm në politikën amerikane në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të 5 nëntorit”, thuhet në njoftim.
Senatori Murphy e kryeministri Kurti kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.
“Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë. Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet më tutje në njoftim.
Kryeministri Kurti ka kërkuar që SHBA të ushtrojë presion ndaj Beogradit që Milan Radojçiqi, udhëheqësi i grupit të armatosur serb që kreu sumin terrorist në Bansjkë, më 24 shtator, t’u dorëzohet autoriteteve të drejtësisë në Kosovë.
“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryemnistrit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partis٥ Demokrate të SHBA-së, në Çikago, me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI). Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se NDI është asociacion partiak dhe nuk i shpreh qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë.
(r.m.)