Kurti bisedon me përfaqësues të agjencive të OKB-së për zhvillimin ekonomik në veri

Prishtinë, 18 shtator 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka pritur në një takim joformal përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në krye me koordinatoren Arnhild Spence.

Zyra e Kryeministrit Kurti njoftoi se gjatë takimit është diskutuar për prioritetet dhe projektet e Qeverisë së Kosovës dhe për bashkëpunimin e qeverisë me këto agjenci në realizimin e projekteve.

“Që një vit tani, Qeveria e Republikës së Kosovës ka gjetur zgjidhje të ligjshme për bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, që mbron sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës. Ky bashkëpunim është i frytshëm dhe sjell bashkëpunim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit, mirëqenies sociale, punësimit, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e digjitalizimit të shërbimeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në fokus të takimit ka qenë bashkëpunimi i qeverisë me agjencitë e OKB-së në zhvillimin ekonomik të pjesës veriore të Kosovës, përmes mbështetjes së bizneseve dhe të turizmit.

Kurti citohet të ketë thënë se në pjesën veriore të Kosovës po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë.

Ai I ka falënderuar përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara për bashkëpunimin e ngushtë, punën e përbashkët dhe bashkëbisedimin e frytshëm.

“Kryeministri i informoi të pranishmit rreth punës më shumë se tre vjeçare të Qeverisë dhe progresin e arritur i cili është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

(r.m.)