Kurti bisedon me z. Chollet për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë

Prishtinë, 24 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me telefon me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se temë kryesore e bisedës ka qenë takimi i Kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të mbahet të hënën në Bruksel.

Në njoftim thuhet se Kurti ka konfirmuar qëndrimin e tij tashmë të nohur për propozimin evropian, të cilin ai e ka cilësuar si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se “për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë” midis dy vendeve, “përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të konsiderohen edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

Kurti e ka falënderuar z. Chollet për mbështetjen e procesit të dialogut dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të z. Chollet personalisht për Kosovën.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të jenë kontruktivë në takimin që do të zhvllojnë të hënën në Bruksel.

“Ne presim që dy udhëheqësit t’i qasen takimit me frymë konstruktive të nevojshme për të ecur përpara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Departamenti i Shtetit ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila, siç thuhet, “në fund të fundit, duhet të synojë njohjen reciproke”.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fund të fundit, duhet të synojë njohjen reciproke. Progresi në dialog do t’i hapë rrugë integrimit evropian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se në parim e pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, gjë që është vlerësuar si hap inkurajues nga Departamenti i Shtetit.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë theksuar rëndësinë e propozimit evropian për përmirësim të shpejtë të marrëdhënieve (Kosovë – Serbi) në mënyrë që të evitohet rreziku i eskalimit tësituatës”, ka theksuar Departamenti.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dalogun Koosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kurti e Vuçiqi, në takimin e tyre në Bruksel, duhet të deklarohen zyrtarisht se e pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian dhe të diskutojnë për afatet e zbatimit në praktikë të marrëveshjes.

(r.m.)