Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve në veri ishte pasojë e fushatës kërcënuese të Beogradit

Prishtinë, 24 prill 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe pa incidente. Ai ka falënderuar Komisionin Qendror të Zegjedhjeve (KQZ) për organizimin e zgjedhjeve, Policinë e Kosovës për sigurinë gjatë këtij procesi dhe qytetarët për mbështetjen.

“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje, u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”, ka shkruar Kurti, në një postim në Facebook.

Kryeministri Kurti ka thënë se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje ishte pasojë e fushatës së frikësimit dhe shantazhit nga Beogradi zyrtar dhe strukturat kriminale në veri. Ndërkaq qytetarët I falënderoj për kurajon dhe qetësinë.

“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, është shprehur ai.

Në fund të mesazhit, Kurti ka uruar kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur në zgjedhjet e djeshme.

“Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje.  Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

Lista Serbe, e cila ka qeverisur në këto komuna prej vitit 2012, nuk mori pjesë në zgjedhjet e djeshme. Ajo u bëri thirrje votuesve serbë që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.

Njëjtë ka vepruar edhe Beogradi zyrtar, duke i cilësuar këto zgjedhje si akt kundër “interesit nacional serb”. Madje, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve që të “shikojnë me neveri” serbët që marrin pjesë në këto zgjedhje.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka fituar garat për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ndërkaq, në Zveçan dhe Zubin Potok kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Udhëheqësit e Listës Serbe, pas publikimit të rezultateve preliminare, thanë se “populli serb në Kosovë nuk do të lejojë kurrë që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar 1 apo 2 për qind të votave në zgjedhje”.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve të serbëve të regjistruara në Serbi dhe zëvendësimin e targave ilegale me targa legale të Kosovës, RKS.

(r.m.)