Kurti dhe Escobar bisedojnë për rrezikun e nxitjes së konflikteve në Ballkan

Athinë, 8 prill 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se të premten është takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit, në Athinë.

Kurti ka thënë se në këtë takim është diskutuar lidhur me rrezikun e këcënimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit për Europë e Euroazi, Gabriel Escobar, biseduam për çështje kritike: treguesit e mirë demokratikë dhe ekonomikë të vitit të parë të qeverisjes, dialogun e Brukselit, rreshtimin e Kosovës në krah të BE-së dhe SHBA në sanksionimin e agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë dhe solidariteti i Kosovës me Ukrainën”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Zyra e Kurtit ka dhënë më shumë hollësi për përmbajtjen e bisedimeve.

“Në takim u diskutua edhe rreth zhvillimeve në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, me theks te invazioni rus dhe agresioni ushtarak në Ukrainë. U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Në njoftim thuhet se Kurti ka ritheksuar rreshtimin e Kosovës përkrah botës demokratike lidhurme agresionin e Rusisë në Ukrainë  dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të pranuar 5000 refugjatë nga Ukraina.

Kryeministri Kurti ka rikthesuar gjithashtu “domosdoshmërinë e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Evropian, për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës”.

Ndfërkaq, z. Escobar, i cili është edhe zëvendës-ndihmës sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, citohet të ketë thënë se Uashingtoni i mbështet “synimet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”.

“Z. Escobar konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe synimet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe më herët e ka shprehur shqetësimin se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në Ballkanin Perëndimor.

Kohët e fundit, Kosova i ka rritur përpjekjet për integrim në NATO. Muajin ekaluar, Qeveria e Kosovës e themeloi një grup punues që do të merret  me përgatitjet për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike që udhëhiqet nga SHBA.

(r.m.)