Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë reaguar ashpër lidhur me vendimi për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak për ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.
Kurti ka thënë se është kureshtar të dijë se kush është prokurori që ka bërë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë për Pantiqin dhe cili është gjyqtari që e ka aprovuar këtë kërkesë, duke qenë se Pantiqi ishte arrestuar nën dyshimin për veprën penale “sulm terrorist”.
“Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon atë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se e konsideron të natryrshme që Pantiqi të transferohej në spital për trajtim mjekësor.
“Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahej në Jarinjë për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar për mbajtje në paraburgim. Ai ka statusin e të paraburgosurit dhe pa statusin e të pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital e që është e kuptueshme e sa është e arsyeshme e vendos gjyqësori”, ka thënë Kurti.
Shumë më ashpër se kryeministri Kurti ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e ka cilësuar si aktin më të rëndë kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë për Pantiqin dhe miratimin e kësaj kërkese.
“Kërkesa dhe vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiq, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues.
Nuk di si ta kuptoj dhe si është e mundshme që dikush që akuzohet për një vepër aq të rëndë që ka të bëj me terrorizëm, të shkoj në arrest shtëpiak madje sipas legjislacionit, për shkak të peshës së rëndë të veprës penale, nuk mund të shqiptohet një masë e butë sikur ajo e arrestit shtëpiak”, ka shkruar ministrja Haxhiu.
Ajo ka drejtuar akuza të rënda në adresë të gjithë sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Nuk është se kemi pasur ndonjë ëndërr që sistemi i drejtësisë do të çlirohet pa reformën në drejtësi, por ama të ndodhë edhe kjo që ndodhi sot është e papranueshme dhe diçka që do të ngelet në historinë moderne të Kosovës.
Në vend se institucionet e drejtësisë të mbronin rendin kushtetues e qytetarët, njësoj sikur po angazhohet policia edhe fizikisht në veriun e vendit tonë, këta prej zyrave të tyre marrin vendime aq të dëmshme e të cilat përveç tjerash janë inkurajim për bandat kriminale e terroriste në veriun e vendit tonë”, ka shkruar ajo.
(r.m.)