Uashington, 28 korrik 2022 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re, duke qenë se sfidat në botë janë duke u shtuar.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington, zoti Kurti e vlerësoi marrëveshjen prej mbi 236 milionë dollarësh për energjinë. Ai tha se dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Ndërsa bisedimet me Serbinë kanë ngecur dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, kryeministri Kurti tha se Kosova asnjëherë nuk e ka mohuar rëndësinë e bisedimeve, por se ato duhet të jenë parimore dhe me synimin përfundimtar për njohje reciproke.
Intervistën e zhvilloi Keida Kostreci.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, në takimin me sekretarin Blinken dhe zyrtarët amerikanë në Washington u theksua marrëdhënia e fortë mes dy vendeve. Cilat janë mesazhet konkrete që merrni këtu dhe që po i përcillni me vete në vendin tuaj?
Albin Kurti: Kur isha para dy muajve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizita dy javore u dominua nga nevoja e investimeve amerikane shtesë në Kosovë, por gjithashtu edhe për një siguri shtesë për Kosovën, në kushtet kur përballemi me pasojat kontinentale dhe jo vetëm të invazionit të pajutifikueshëm dhe të paprovokueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë. Ndërkaq, kësaj radhe erdhëm për ta bërë konkrete një bashkëpunim në fushën e energjisë, përkatësisht për nënshkrimin e Programit Kompakt prej gjithsejt 236.7 milionë dollarëve që do të kontribuojë shumë për pavarësinë energjetike të Kosovës, duke filluar me bateritë akumuluese e deri te trajnimet dhe shkathtësitë tjera profesionale dhe teknike, në veçanti për gratë në Kosovë. Mirëpo, ne me sekretarin Blinken nuk u ndalëm me kaq. Diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale e shtetërore t’i thellojmë dhe avancojmë me bashkëpunim ekonomik dhe rritje të shkëmbimit tregtar. Por, gjithashtu edhe duke pasur se dy sektorë që Kosova e ka rritur buxhetin vjetor, bujqësia dhe mbrojtja janë dy fusha ku ne duam ta rrisim bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi me sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm, ishte i frytshëm dhe shumë i përzemërt, është kremtim i marrëdhënieve tona, të cilat po hyjnë në një fazë të re për shkak se sfidat në botë janë duke u shtuar, por njëkohësisht edhe investimi amerikan në Kosovë gjithashtu mund të vijë duke u shtuar.
Zëri i Amerikës: Sekretari Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ndërkaq se zyrtarë amerikanë kanë thënë mes të tjerash se një normalizim i tillë do të pengonte synimet ruse për destabilizimin e rajonit. Në dritën e një situate të re gjeo-politike a ka ndryshuar qëndrimi juaj për përparësinë e këtyre bisedimeve?
Albin Kurti: Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar rëndësinë e këtyre bisedimeve, por kemi thënë që ato duhet të jenë bisedime parimore në të cilat Kosova është palë dhe jo temë, siç ka qenë në të kaluarën. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kosova është vend i pavarur, sovran, demokratik dhe me integritet të qartë territorial, por, në të njëjtën kohë, ne e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore, rrjedhimisht duam normalizim të këtyre marrëdhënieve dhe normalizimi bëhet me dialog, i cili duhet ta ketë qëllim një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar te njohja reciproke dhe këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken, i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Beogradi reagoi me zemërim ndaj vendimit tuaj për të kufizuar përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe për masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serb që hyjnë në Kosovë. Ka shqetësime se vendosja e masave të tilla mund të nxisë tensione të reja mes dy palëve. Si ju përgjigjeni juve?
Albin Kurti: Para më shumë se një muaji ne i kemi marrë dy vendime në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në njërën anë japim një afat dy mujor, i cili fillon prej të hënës, më një gusht, që të gjithë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb, të cilët kanë targa të automjeteve nga koha e (Slobodan) Millosheviqit, si ‘PR’, ‘KM’, ‘PE’, ‘UR’, ‘GL’, ‘DJ’, ‘PZ’ e kështu me radhë, t’i shndërrojnë ato në targa legjitime dhe legale të Republikës së Kosovës, me ç’rast ne kemi ofruar edhe lehtësime për ta bërë një shndërrim të tillë. Gjithashtu, nga e hëna të gjithë ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të hyjnë në Kosovë ne do t’i pajisim me një dokument të veçantë, i cili tregon që ata do të mund të lëvizin lirisht në Republikën e Kosovës. Kjo është një masë që e marrim 11 vjet pasi që këtë tashmë e ka ndërmarrë Serbia, ndërkaq sa i përket atyre targave të kohës së Millosheviçit, Serbia vetë e ka pranuar në Bruksel se ato duhet të marrin fund, mirëpo duket që po i pengon zbatimi. Ne nuk jemi kundër qytetarëve serbë. Përkundrazi, ne dëshirojmë që me ta të bashkëpunojmë për të mirën e përgjithshme dhe në zbatim të ligjit e respektim të kushtetutshmërisë. Pra, këto janë masa për ligj dhe barazi dhe kundër askujt.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër një përpjekje e Bashkimit Evropian për një takim ndërmjet jush dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, më 19 korrik, dështoi. Ju thatë se faji duhet të kërkohet në Beograd, ndërsa përmendët që përpjekjet nuk duhet të jenë të njëanshme dhe e kritikuat Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve. A mund të ishte bërë diçka nga pala juaj që ky takim të mos dështonte dhe më gjerë si mund të kontribuojë Kosova drejt një dialogu konstruktiv?
Albin Kurti: Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës, të përgatitur mirë, për çështje bilaterale dhe ka pasur plan që një takim i tillë të mbahet me datën 19 korrik, mirëpo nuk u mbajt, për shkak se Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi njëmujore. Pra, dikur thoshin se duhet të presim meqenëse nuk i kishin mbajtur zgjedhjet, e tash, ndonëse po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme, që kanë të bëjnë thjeshtë me faktin se, përkundër kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ata nuk dëshirojnë të distancohen nga presidenti despotik Putin, nga Kremlini zyrtar dhe nga lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës. Pra, nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës, andaj edhe nuk e konstituojnë kuvendin, nuk e formojnë qeverinë dhe kërkojnë që takimet e parapara në Bruksel me mua të spostohen në kohë. Me këtë rast unë do të theksoj që Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që ne edhe më tej të jemi të tillë dhe ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktivë dhe këtë Brukseli tashmë e ka regjistruar. Pra, në vend se të ndodhë takimi më 19 korrik, tash shpresohet se mbase mund të mbahet në fund të gushtit.
Zëri i Amerikës: Ndërkohë Beogradi thekson se ju nuk doni t’i zbatoni marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, për të cilin ushtrohet trysni edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Si do t’i zgjidhni këto dy çështje?
Albin Kurti: Janë rreth 33 marrëveshje të Brukselit dhe midis tyre nuk ka hierarki për ndonjë marrëveshje më të rëndësishme se një tjetër. Pra, Beogradi dëshiron që marrëveshjet e arritura në të kaluarën t’i trajtojë si një tryezë suedeze ku mund të përzgjedhin sipas interesave të tyre shtetërore. Më duhet të them që nuk është as në interesin e serbëve të Kosovës një Asociacion i tillë çfarë e ka dashur gjithmonë Serbia. Ata më shumë dëshirojnë të kompensohen në stilin e një Republike Serbe të Bosnjës edhe në Kosovë, për faktin që e kanë humbur Kosovën, ndërkohë që nuk është dashur ta kenë asnjëherë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës praktikisht ka konstatuar që asnjëri prej shtatë kapitujve të asaj marrëveshje të vitit 2015 nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por, përkundër këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse unë marr shumë letra nga serbët në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk është për këtë Asociacion. Pra, është më tepër interes i Beogradit, sesa nevojë e serbëve. Ndërkaq, sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit, ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pa dallim religjioni, por trashëgimia kulturore dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë dhe unë e kam shprehur gatishmërinë time që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionalitetit serb, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë. Por, duhet theksuar se, ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet në të tashmen nga Putini, kërkojmë që të distancohet edhe nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi, sepse bëhet fjalë për 24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit. Ajo ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej ta abstrahojmë këtë fakt. Por, unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe për të mirën publike, pa cenuar e diskriminuar askënd.
(Zëri i Amerikës)