Prishtinë, 23 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten ambasadorët e shteteve të QUINT-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit tha se qëllimi i takimit ka qenë “informimi dhe koordinimi për temat aktuale”.
Në njoftim thuhet se në fillim të takimit është diskutuar mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).
“Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminentë. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë:, thuhet në njoftim.
“Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.
Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti,
(r.m.)