Prishtinë, 26 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, “konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Disa barrikada janë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet nga autoritetet kosovare se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.
Në takimin e së hënës mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa për takimin njoftoi edhe KFOR-i në platformën Twitter.
“Sot, komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia u takua me zotëri Albin Kurti dhe zotëri Lars-Gunnar Wigermark për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë”, thuhet në postimin e KFOR-it.
Today, the Commander of the #NATO-led #KFOR mission, Major General Angelo Michele Ristuccia, met with Mr. Albin Kurti @albinkurti and Mr. Lars-Gunnar Wigermark @LarsGWigemark (HoM @EULEXKosovo) to discuss the security situation in Kosovo. pic.twitter.com/IKteFEDQwZ
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) December 26, 2022
Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit tha se në takim u fol edhe “lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend” dhe u theksua se do të vazhdojë bashkëpunimi ndërinstitucional.
Më parë të hënën, KFOR bëri të ditur se është duke e hetuar atë që e ka quajtur “incident jodirekt zjarri” më 25 dhjetor, kur u raportua për të shtëna afër një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok – njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
KFOR-i ka bërë thirrje që të gjitha palët e përfshira “të shmangin retorikën apo veprimet që mund të shkaktojnë tensione dhe mund ta përshkallëzojnë situatën”, ndërsa ka thënë se “mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë ta përmbushim mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
“Komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon ta përkrahë dialogun për ta gjetur një marrëveshje për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë të përfshirët në këtë proces”, thuhet më tutje në njoftimin e KFOR-it.
(REL)