Kurti diskuton me ambasadorët e QUINT-it për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Prishtinë, 7 prill 2023 – Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte temë diskutimi në takimin e së premtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, njoftoi Qeveria.
Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili bashkë me Kurtin i informoi përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të 4 prillit në Bruksel dhe pritjet nga ky proces, vazhdon njoftimi.
“Ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 4 prill për deklaratën për persona të pagjetur.
Bislimi ka deklaruar më herët se takimi i nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq – do të mund të zhvillohet më 22 prill. Mirëpo, BE-ja ende nuk e ka konfirmuar datën.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.
(REL)