Kurti diskuton për propozimin e BE-së me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi

Prishtinë, 4 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar të shtunën propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Kuvendin e Serbisë.

Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë pritur të shtunën në Prishtinë, deputetin shqiptar, Shaip Kamberi, kryetarin e partisë SDA Sanxhak, Sulejman Ugljanin, dhe dy deputetët tjerë boshnjakë: Enis Imamoviq dhe Sellma Kuçeviq.

Në një njoftim për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se “komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian” dhe se të drejtat e komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe Serbi, pasqyrojnë “demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri”.

Katër zyrtarët kanë thënë se janë të pakënaqur me statusin e shqiptarëve dhe boshnjakëve në përgjithësi në Serbi, por kanë theksuar situatën në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë.

“Ata kërkuan reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës”, është thënë në komunikatë.

SDA Sanxhak i ka dy deputetë në Kuvendin aktual të Serbisë, ndërsa “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” e ka një deputet.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version të tij, ku nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

(REL)