Kurti do të shkojë në Sarajevë, pavarësisht kundërshtimit të serbëve

Prishtinë, 5 dhjetor 2924 – Është anuluar Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që ishte planifikuar të mbahej në Neum, në Bosnjë e Hercegovinë, më 4 e 5 dhjetor. Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë së Bosnjës e Hercegovinëas, kjo është bërë për shkak të dështimit të tenderit për organizimin e samitit, por shpjegim më I detajuar nuk është dhënë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se kryeministri Kurti megjithatë do të shkojë në Sarajevë për aktivitete të tjera.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, ka thënë ai për Telegrafin.

“Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politikë, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur ‘Krug 99’”, ka thënë Kryeziu.

Presidenti i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik, e ka cilësuar vizitën e Kurtit në Sarajevë “provokim i hapur dhe fyerje për të gjithë serbët”. Ai ka paralajmëruar se Republika Sërpska “nuk do të heshtë ndaj këtyre provokimeve dhe gjithnjë do të mbrojë dinjitetin e popullit serb”.

Më vonë  ministrat dhe zëvendësministrat serbë e kanë bojkotuar mbledhjen e Qeverisë së Bosnjës e Hercegovinës në Sarajevë në shenjë protgeste ndaj vizitës së Kurtit në Sarajevë.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Stasha Kosharac, tha se vendimi për bojkotimin e mbledhjes është marrë pas konsultimeve në kabinetin e tij.

(r.m.)