Kurti e Borrelli diskutojnë për veriun dhe për proozimin franko-gjerman

Bruksel, 11 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten në mëngjes në Paris me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në takim është biseduar për dinamizimin e dialogut Prishtinë-Beograd, për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe këshilltarët e kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, gjatë këtij takimi, Kurti ka theksuar “elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër” ndërsa propozimin franko-gjerman e ka cilësuar si “bazë të mirë për diskutime të mëtejshme”.

Gjithnjë sipas komunikatës, Kurti e ka mbrojtur vendimin për targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia.

“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Joseph Borrell pritet të takohet të premten pasdite edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Të entjen, kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës u njoftua se në takim ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, thuhej në komunikatë.

“Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje ka thënë se Republika e Kosovës është partnere e besueshme e Republikës së Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantikë.

“Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka shkruar Kurti.

(r.m.)