Kurti e De Bolle biseduan për bashkëpunimin e Kosovës me EUROPOL-in

 

Mynih, 18 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Drejtoren Ekzekutive të EUROPOL-it, Catherine De Bolle, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Zyra e kryeministrit Kurti njoftoi se në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të rendit në Kosovë me EUROPOL-in me qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ai (Kurti) tha se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa sundim të ligjit, dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për më shumë bashkëpunim me Europol-in kundër krimit të organizuar, me theks në luftën kundër kontrabandës, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe në siguri kibernetike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle, është shprehur e kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EUROPOL-it, e cila ia mundëson Kosovës emërimin e një zyrtari të zyrës ndërlidhëse në EUROPOL dhe krijon kanal të sigurtë të komunikimit dhe shkëmbimit të informacioneve. Ajo e ka vlerësuar edhe pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe kontributin e Policisë së Kosovës në aktivitete të përbashkëta me EUROPOL-in dhe EMPACT. Zonja De Bolle ka thënë se bashkëpunimi me EMPACT është katërfishuar.

(r.m.)