Prishtinë, 6 nëntor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti në takim Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë turke të mbrojtjes “Baykar”, Haluk Bayraktar, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake gjatë dy viteve të fundit. Ai ka thënë se buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është rritur më shumë se dyfish, gjë që ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke “Baykar” dhe me Qeverinë e Republikës së Turqisë për blerjen e dronëve “TB2” dhe pajisjeve tjera ushtarake më moderne.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti i ka shprehur mirënjohje z. Bayraktar për trajtimin me prioritet të lartë të çdo blerjeje të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, gjë që dëshmon raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Turqisë.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe drejtori i kompanisë Baykar, Bayraktar kanë diskutuar edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
Para se të takohej me kryemistrin Kurti, z. Bayraktar është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci. Në këtë takim është diskutuar për mundësitë konkrete të bashkëpunimit,
Ministri Maqedonci e ka dekoruar z. Bayraktar me medaljen “Shërbim i shquar”. Kjo është mirënjohja më e lartë ushtarake për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
(r.m.)