Delphi (Greqi), 29 prill 2023 – Ditën e dytë të Forumit Ekonomik në Delphi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Zyra e Kryeministrit Kurti njoftoi se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet midis Kosovës e Greqisë dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve greke në Kosovë.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e ka falënderuar Grerqinë dhe ministrin Dendias personalisht për përkrahjen e vazhdueshme të procesit të integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Ky ishte takimi i dhjetë i kryeministrit Kurti me ministrin Dendias gjatë di viteve. Muajin e kaluar, ministri Dendias e kishte vizituar Kosovën, për herë të gjashtë prejse është emëruar në këtë pozitë.
(r.m.)