Kurti e falënderon kancelarin Scholz për pritjen: Jemi të inkurajuar nga mbështetja juaj e fortë

Berlin, 4 maj 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka falënderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për pritjen e ngrohtë që i ka bërë sot në Berlin.

Pas takimit me kancelarin e Gjermanisë, Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ndjehet i inkurajuar nga mbështetje e fortë e kancelarit Scholz për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe ridinamizmin e Procesit të Berlinit.

“Faleminderit kancelarit gjerman për pritjen e ngrohtë. Dy vendet tona janë të lidhura me vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë. Ne jemi të inkurajuar nga mbështetja juaj e fortë për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe ridinamizmin e Procesit të Berlinit”, ka shkruar Kurti.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas takimit me Kurtin, në konferencën e përbashkët për medie, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Objektivi i dialogut të Brukselit (midis Kosovës dhe Serbisë) është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme, midis dy vendeve që u hap të dyja vendeve perspektivë (për anëtarësim) në Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, ka thënë Scholz.

Ndërkaq Kurti ka thënë se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

“Pikëpamja dhe bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund. Ne jemi të përkushtuar që të ecim shpejt, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë”, ka thënë Kurti.

(r.m.)